E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, 1 milionë euro grant do vijnë nga Katari

Nga Gerti Çarçani

Shkurti i vitit të ardhshëm pritet ta gjejë aksionaren kryeqytetase me superbuxhet, duke llogaritur edhe donacionet e tjera

Aksionerja e fundit, ose më saktë, shoqëria e re aksionare që i përket metropolit dhe një tradite, pas fare pak muajsh do të jetë në duart e një donacioni të fortë përtej kufinjve. Jo në Europë, por shumë më larg. Burime shumë të brendshme në Bashkinë e Tiranës, bëjnë me dije që një grant aspak modest, do të shkojë enkas për fondin garant të të gjitha shpenzimeve të klubit Tirana.

Dhe ky grant kap shifrat e 1 milionë eurove dhe që pritet të vijë nga Katari. Granti do të shërbejë direkt për aksionaren e re dhe që do të ketë spunto në administrim nga Bashkia. Marrëveshjet e ndryshme të bashkëpunimit ekonomik me shtetin tepër të fuqishëm të Katarit kanë përfshirë edhe Tiranën, si një zë që i përket sportit. Ky është asi nën mëngë dalë së fundmi, në një kohë që realisht, aksionerë të tjerë të fortë për kryeqytetin ende nuk po shfaqen publikisht.

Dalja e fundit publike daton të dielën e para ndeshjes me Bylisin, ku kryebashkiaku dha mesazhin në krah të donatorit Halili. Burimet bashkiake bëjnë me dije një support të tillë për kalim të një fondi, që do të hyjë në formën e grantit për administrim dhe për llogari të klubit Tirana. Por, kjo pritet të jetë vetëm nga shkurti i vitit të ardhshëm. Po, deri në shkurt çfarë do të ndodhë?

Nuk janë pak muaj deri në ardhjen e këtij fondi jo pak të vogël, në një kohë që Tirana jo vetëm udhëheq, por edhe e qetë pret. Paraqitja publike e Halilit në krah të Bashës ishte një lloj sinjali, që donatori nuk është tërhequr plotësisht. Ka edhe një fakt tjetër që, ende për momentin nuk ka asnjë lëvizje, apo emër tjetër për afrim te Tirana.

Sepse në fakt, tashmë rregullat e lojës janë shumë ndryshe, për pasojë edhe shifrat që duhen depozituar për të qenë afër klubit nuk janë aspak të papërfillshme. Përkundrazi. Pritet që me me këtë grant, ardhur jo nga buxheti i shtetit, Tirana si klub të ketë një qëndrueshmëri ekonomike për shumë kohë, pa përfshirë këtu afrimin e donatorëve të tjerë.

Por janë diku deri te 5 muaj që duhet të lëvrohet një fond për të vazhduar pagesat e lojtarëve të klubit që janë tashmë në aktivitet dhe që kanë kontratat përkatëse me donatorin Halili. Bashkia nuk ka kaluar ende në fazën tjetër, në atë të një konkursi të hapur le të themi për afrimin e donatorëve të tjerë, teksa Halili vetë është ende prezent në klub dhe pritet me të gjitha gjasat që ai të vazhdojë subvencionin për skuadrën, natyrisht duke qenë i përfshirë më pas në paketën aksionare të klubit.

Sinjale për rikthim nuk ka as nga ish-donatorët, të cilët përtej ngacmimeve mediatike shprehen se nuk po e mendojnë futjen në klub. Ky është për momentin situacioni aktual në shoqërinë aksionare Tirana. Përpos vazhdimit të Halilit, një shtesë fondi pritet të vijë edhe nga Bashkia në projektin për vitin e ardhshëm, në një kohë që për hyrje të reja që do të konvertoheshin si aksionerë të rinj, duket se ka një indietro.

Sepse në fakt, indeksi i aksioneve të klubit këtë herë nuk është në nivele të frikshme, por as edhe modeste. Me ardhjen në shkurt të 2012-s të fondeve nga Katari, atëherë rrjedha e lojës për aksionerë të tjerë do të jetë shumë më ndryshe. Çka do të thotë që, nuk ka asnjë shans që të marrë ndonjë paketë kontrolluese deri në 51%.

Ajo do të jetë shumë e shpërndarë, ku natyrisht pjesa më e madhe, nëse Bashkia e lëshon, mund të shkojë te 25% e aksioneve. Për momentin aksionarja është në fazë kalkulimi për fazën e mbulimeve të shpenzimeve deri në ardhjen e llokmës nga Doha.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›