E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oliver Pepa, i përjashtuari i radhës nga Apolonia

Nga BUJAR RAMA

Bardhejeshilët kanë regjistruar humbjen e tretë radhazi, duke përfshirë dy në kampionat (me Teutën dhe Kastriotin) dhe në kupë me Laçin, dy prej tyre në fushën e vet. Skuadra nuk ka mundur që të funksionojë siç duhet përballë një Kastrioti në formën e tij më të mirë dhe ka qenë më tepër meritë e kundërshtarit që e ka sfumuar lojën e fierakëve. Kastrioti është treguar prepotent në lojën e vet, duke mos i lënë hapësirë dhe mundësi Apolonisë për të treguar shumë gjëra pozitive.

Kështu, pas kësaj humbjeje normale, bardhejeshilët duhet të mendojnë seriozisht për një kundërshtar me shumë peshë, siç janë kryesuesit bardheblu të Tiranës. Por kemi sërish një përjashtim. Oliver Pepa është i përjashtuari i radhës nga skuadra fierake e Apolonisë. Futbollisti që luante sezonin e dytë për ngjyrat bardhejeshile, nga dita e mërkurë e në vazhdim nuk do të jetë më pjesë e Apolonisë, pasi drejtuesit e klubit kanë vendosur që ta ndërpresin kontratën me të, nën motivacionin e mosingranimit me ekipin dhe mospërshtatje me skemat teknikotaktike të skuadrës.

Kështu, futbollisti shkodran ka pasur fatin e Metos dhe Muhajt, të cilët janë përjashtuar në dy javët e fundit dhe nuk janë më pjesë e skuadrës fierake. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se Pepa nuk ka lënë ndonjë vragë pozitive gjatë kohës që është aktivizuar tek Apolonia, ndonëse gjatë këtij kampionati ka luajtur vetëm në dy ndeshje si zëvendësues. Gjatë merkatos dimërore, Apolonisë i duhet të ndërhyjë fuqishëm osë do të jetë një ndër ekipet seriozisht të rrezikuara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›