E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Muze arkeologjik nën themelet e grataçielave”

 

DURRES/ OERD ULQINI

A mund të bashkëjetojë Durrësi modern me atë antik? Për arkeologët dhe arkitektët e njohur, që po merren me studimin e qendrës së qytetit, kjo bashkëjetesë është plotësisht e mundshme dhe nuk duhet të shihet me dyshim. Ata sugjerojnë ngritjen e dy qyteteve paralele një të “gjallë” mbi dhé e një “të vdekur” nën dhé. Në bazë të diskutimeve më të fundit qyteti nëntokësor do të ruante me xhelozi trashëgiminë e vyer historike dhe kulturore, ndërsa ai mbitokësor do t’u hapte rrugë ndërtimeve shumëkatëshe të shekullit të ri. Sara Santoro, drejtuese e misionit arkeologjik të Parmës, e cila punon prej kohësh në Durrës shprehet se nuk duhet të kemi frikë nga grataçielat e reja të qytetit. “Nga këndvështrimi im një gjë e tillë bëhet e mundur falë përdorimit të teknologjive të reja. Ato janë thelbësore për këtë lloj sistemi. Në Evropë ka shumë raste të ngjashme ku qyteti antik bashkëjeton në mënyrë shumë të mirë me ndërtimet e qytetit modern. Saragoza, Napoli dhe Athina janë disa prej shembujve, në të cilat Durrësi duhet të mbështetet. Nëntoka e qytetit tuaj është shumë e pasur me lëndë arkeologjike, ndaj lipset projektimi i një Durrësi nëntokësor, ku këto monumente të ruhen në kushte shumë të mira. Nëse veprohet kështu nuk do të pengohej aspak zhvillimi i qytetit modern. Pra, e thënë ndryshe Durrësi i vjetër do të ruhej nën galeri, ndërsa qyteti i ri do të mund të ngrihej në sipërfaqe”, tha Santoro. Në vazhdën e diskutimeve për politikat zhvilluese të qytetit është mbajtur një takim me temë “Vështrim i përgjithshëm mbi studimin e pjesës arkeologjike të Durrësit”. Në tryezën e bisedimeve morën pjesë arkeologë të njohur, arkitektë, inxhinierë si dhe drejtuesit rajonalë të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Klasa e ndërtuesve, ashtu sikurse edhe arkeologët e shohin të mundshëm zhvillimin e Durrësit modern, pa cenuar objektet e lashtësisë. Hajdar Kovaçi, një ndër emrat më të njohur të arkitekturës durrsake shprehet i bindur se “qyteti duhet të ndjekë shembujt e Athinës dhe Romës”. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për ndonjë formulë magjike, por thjesht për ta parë Durrësin nën dritën e përvojave më të mira evropiane. Durrësi është qyteti ku gërshetohet në çdo skaj e shkuara me të ardhmen. Si një prej qendrave më të lulëzuara të Mesdheut këtu dallohen qartë gjurmët e qytetërimit ilir, romak, grek, bizantin, otoman etj. Historia në Durrës është e dokumentuar në shtresat nëntokësore, ndaj propozimi i fundit për të ngritur një qytet të nëndheshëm arkeologjik, bashkë me atë modern në sipërfaqe tashmë duket i afërt. Përpara se të hidhte këtë propozim Santoro bëri një paraqitje të zgjeruar të zbulimeve të kryera së fundi nga misioni arkeologjik i drejtuar prej saj. Sipas saj, përmes galerive të ndërtuara për këtë qëllim çdo turist i interesuar mund të zbriste i qetë në “qytetin e vdekur”, aty ku gjurmët e historisë njerëzore do të ekspozoheshin sikurse në një vitrinë. Për të, metropoli i Athinës është një shembull i shkëlqyer, ku pasagjeri udhëton duke parë monumentet unikale të qytetërimit helen. Problemi që nuk u diskutua në këtë takim ishte fatura financiare e një sipërmarrje të tillë. Sigurisht që ajo kërkon fonde kolosale, të cilat edhe nga buxheti i mirë i bashkisë së Durrësit me afro 25 milion dollarë të ardhura vjetore nuk mund të përballohen.

Qyteti, arkeologji dhe fortifikim

Arkeologia Sara Santoro mbrojti me xhelozi propozimin e saj për qytetin nëntokësor, duke dhënë edhe një tjetër argument. “Galeritë e nëndheshme mund të shërbejnë edhe si vendstrehime për popullsinë në rast të një lufte atomike”, deklaroi arkeologia e njohur parmeze. “Dikujt mund t’i duket për të qeshur, por situata në Evropë dhe Botë është shumë serioze. Për rastin e qytetit nën dhé të Saragozës, spanjollët më thanë se ai mund të shërbejë fare mirë edhe për vendstrehime në raste lufte”, deklaroi ajo. Pra, në çdo rast ky lloj investimi nuk i shërben vetëm arkeologjisë dhe zhvillimeve moderne, por edhe parashikimeve më pesimiste për një tjetër “luftë të ftohtë”, mes Lindjes dhe Perëndimit që rrezikon të bëhet e “nxehtë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›