E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superhajduti 13-vjeçar grabit për një xhiro makinën e 2008-ës

 

TIRANE - Është vetëm 13 vjeç, por emri i tij gjendet gjithnjë e më shumë në regjistrin e veprave penale të policisë së Tiranës. I mituri M. Cungu, prej vitesh i kthyer në një problem për policinë e Tiranës, ka goditur përsëri. Dy ditë më parë ai ka arritur të vjedhë një autoveturë luksoze të markës “Skoda”, prodhim i këtij viti. Automjeti luksoz kishte vetëm pak muaj që kishte dalë në qarkullim, por ka rënë pre e grabitjes nga 13-vjeçari, që është kthyer në personazh përsëritës në krimin e vjedhjes. Sipas burimeve zyrtare të policisë, makina ka qenë në pronësi të Edmond Mehmetit, 47-vjeçar. Ky i fundit e kishte parkuar makinën në rrugën “Mihal Grameno”, ndërsa ishte larguar për një punë të tij personale. Pa kaluar shumë kohë, rreth orës 15:30 minuta mjeti është zhdukur nga parkimi në mënyrë krejt të papritur. Në kohën që pronari i makinës ka dalë për të marrë mjetin e tij me çelësa në duar, automjeti ishte grabitur dhe zotërohej nga 13-vjeçari i konsideruar “superhajdut”. Madje, ai zotëron aftësi në drejtimin e automjeteve, çka bën duke ia thjeshtuar punën. Pasi ka marrë mjetin luksoz të markës “Skoda” me targa TR 8456 P, M. Cungu nuk ka ngurruar të bëjë xhiro rrugëve të Tiranës me mjetin, “pronar” i së cilës sapo ishte bërë. Në të kundërt pronari i vërtetë i mjetit të kushtueshëm, me siguri kishte nisur të jepte versionet e tij në polici mbi autorësinë e mundshme të vjedhjes së mjetit, ku e kishte larë apo ku kishte lënë ndonjë herë çelësat e veturës. I gjithë ankthi ka vazhduar vetëm dy orë e gjysmë, pasi i mituri ka ndaluar mjetin fare pranë Komisariatit nr. 4 dhe pasi e ka mbyllur atë është larguar qetësisht i pashqetësuar nga askush. Targa dhe lloji i makinës kishin disa orë që qarkullonin në radiot e policëve dhe në sallat operative të Drejtorisë së Tiranës. Një patrullë e Komisariatit nr. 4 ka vënë re se mjeti që ishte shpallur në kërkim ndodhej pikërisht përpara derës së godinës së tyre. Menjëherë është njoftuar seksioni i vjedhjes së automjeteve. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, marrjes së dëshmive dhe veprimeve të tjera hetimore, policia ka konfirmuar se mjeti ishte vjedhur nga i mituri M. Cungu, që ka koleksionuar në CV-në e tij të pasur kriminale edhe grabitjen e automjetit luksoz. Hetuesit me të qeshur kanë pohuar nën zë se do të qe më mirë që të gjithë grabitësit e makinave të vepronin si 13-vjeçari, që pasi bëri një xhiro e parkoi makinën para komisariatit. Pas kryerjes së veprimeve rutinë, policia i ka dorëzuar mjetin pronarit, ndërsa ka përcjellë materialet në prokurori ndaj të miturit për akuzën e vjedhjes.           da.bi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›