Trafikoi hashash, 4 vjet e 8 muaj biznesmenit
TIRANE – Tentativa për të kaluar 2.5 kilogramë lëndë narkotike nga Shqipëria drejt vendit të tij, do t’i kushtojë 4 vjet e 8 muaj burg një biznesmeni grek. Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje masën e dënimit për Jorgos Papadhaqis, të arrestuar në prill të këtij viti teksa po tentonte të kalonte në pikëkalimin e Kakavijës lëndën narkotike. Në seancën e djeshme, pesëshja gjykuese e Krimeve të Rënda, pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes, vendosi shpalljen fajtor të të pandehurit për veprën penale të “trafikimit të narkotikëve”. Ndërsa në seancat e mëparshme ajo ishte njohur edhe me konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë, e cila kishte kërkuar për biznesmenin grek masën e dënimit 4 vjet e 8 muaj heqje lirie. Bëhet e ditur se Papadhaqis, lindur dhe rritur në Athinë, para një viti jetonte në qytetin e Gjirokastrës, ku bashkëjetonte me shtetasen shqiptare Daniela B. Në konkluzionet përfundimtare pala e akuzës sqaroi se në datën 3 prill të këtij viti, ka mbërritur në pikëkalimin kufitar të Kakavijës me automjetin e tij “Nissan” me targa YIy 2654, me qëllim kalimin në Greqi. Gjatë kontrollit të automjetit i janë gjetur 2.5 kg hashash. ar.ba