E Diel, 1 Nëntor 2026

Ohër, Topi takohet me Ivanovin dhe Sejdiun

Tre presidentët diskutojnë në një takim informal mbi bashkëpunimin e ardhshëm mes vendeve


TIRANË - Me ftesë të Presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për të marrë pjesë në "Festivalin e 49-të Ndërkombëtar Veror", që zhvillohet në Ohër, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka shfrytëzuar mundësinë për të biseduar gjatë këtij aktiviteti edhe me presidentët e vendeve fqinje të Maqedonisë dhe Kosovës.


Në takimin që ai zhvilloi me dy presidentët e rajonit, Ivanov dhe Sejdiu, janë shpalosur vlerat historiko-kulturore të tre shteteve, si dhe janë parë mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm në disa fusha.


Në fund të takimit, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, theksoi se rëndësia e këtij takimi konsiston në mundësinë për të biseduar jo vetëm për problemet, që kanë vendet me njëri-tjetrin, por, mbi të gjitha, për çështjet e bashkëpunimit në fusha të ndryshme."Dëshiroj të vlerësoj për ftesën që na bëri Presidenti Ivanov, sepse pata rastin të bisedojmë gjatë dhe për çështje të bashkëpunimeve, jo për probleme, por për çështje të bashkëpunimeve sa më intensive.


Dhe natyrisht, edhe me Presidentin Topi, ne do të vazhdojmë një traditë të mirë të takimeve dhe të bashkëpunimit midis vendeve tona dhe kjo është një dëshmi e mirë dhe e drejtpërdrejtë e gatishmërisë sonë për të lëvizur në procese të rëndësishme integruese", - tha Sejdiu.


Ndërsa Presidenti Bamir Topi e ka parë në një kontekst tjetër takimin, ku përveç bashkëpunimit, sipas tij, është për t'u vlerësuar edhe përpjekja, që po bëjnë vendet e rajonit për t'u pranuar në Bashkimin Europian.


"Ky takim i yni dhe takimet që ne kemi vendosur në agjendë, influencojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe psikologjikisht tek popullata, që njerëzit të jenë të lirë, të lëvizin të lirë, të shkëmbejnë vlerat e tyre, të shkëmbejnë bizneset e tyre dhe unë besoj që sot, ne gjykojmë që këto marrëdhënie janë në nivelin më të mirë të mundshëm", - tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›