E Diel, 1 Nëntor 2026

Muzeu i Lezhës, premtimi që nuk u mbajt

Monumenti i Skënderbeut në Lezhë

Lezha është një ndër qytet më të lashta dhe me mjaft vlera historike, kulturore, arkeologjike dhe etnografike, por që shumë prej këtyre vlerave vazhdojnë të jenë të panjohura si për  banorët e Qarkut të Lezhës ashtu edhe për vizitorët vendas dhe turistët e huaj, pasi shumë prej vlerave që mbart vazhdojnë të ekspozohen bodrumeve pa u vizituar nga askush, pasi mungon një Muze Historik Etnografik.

Prej dy vitesh, e gjithë pasuria me një fond prej 810 objekte historike-etnografike, nga ambientet e ish-Atelies u transferuan në katin e parë të Bibliotekës së Lezhës. Shpesh herë është ngritur shqetësimi për  mungesën e një muzeu historik-etnografik-arkeologjik, i cili jo vetëm do të shërbente për ruajtjen e këtyre vlerave që po pasurohen ccdo ditë e më tepër nga ekspeditat e fundit, por edhe për transmetimin e këtyre vlerave tek vizitorët vendas dhe të huaj.

Çdo vit kryebashkiaku i Lezhës bën të njëjtin premtim, jemi në tratativa me MTKRS për ndërtimin e një muzeu shumë dimensional, pasi Lezha ka mjaft pasuri që duhen ruajtur por edhe promovuar. Ndërkohë në 17 janar 2012 nga qyteti i Besëlidhjes, por që ende nuk ka një muze historik-etnografik, ministri Aldo Bumçi theksoi se viti i 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë do të jetë vit i ndërtimit të muzeve, por realisht Bumçi nuk lancoi asnjë projekt konkret për Lezhën.

Dita Ndërkombëtare e muzeve e ka gjetur Lezhën edhe në këtë vit jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë ende pa muze. Sipas përgjegjëses  së monumenteve të kulturës në Lezhë, Mariola Gjoni mungesa e një muzeu ndikon në zhvillimin e turizmit. Ajo ripërsëriti të njëjtin deklaratë se bashkia është në tratativa me MKTRS.
Ndërtimi i një godine që të shërbejë si Muze Historik-Etnografik është një ndër  premtimet e bëra në këto 10 vitet e fundit, dhe që ende nuk është bërë realitet. Por deri në gjetjen e investitorëve për zbatimin e projektit, ky fond që është për tu lakmuar i  objekteve  të kulturës materiale e shpirtërore nga fusha e arkeologjisë, etnografisë, vepra arti, dokumentacion, etj, do të vazhdojë të jetë në  ruajtje në ambientet e bibliotekës. /L.Kokaj/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›