E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzeu i Pezës, Qeveria ia heq administrimin Bashkisë



Qeveria ia heq Bashkisë së Tiranës të drejtën e administrimit të vilës në fshatin Pezë, shtëpinë muze ku është mbajtur Konferenca e Pezës në vitin 1942. Me një vendim që mban datën 12 maj, me numër 323, Qeveria ka vendosur që “Muzeu i Konferencës së Pezës” t’i kalojë në administrim Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë e Sporteve. Bëhet fjalë për vilën e famshme në Pezë të Tiranës, e cila shpeshherë është përmendur në akuzat e maxhorancës, drejtuar kreut të bashkisë, Edi Rama, i cili akuzohej se jetonte në këtë vilë muze, jashtë Tiranës, ku ai është kryetar bashkie. Kjo vilë, e cila është e ndarë në dy pjesë, është shpallur e gjitha muze, por njëra pjesë e saj është e banuar. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, është parë shpesh që të kalojë kohën në Pezë pranë kësaj vile, ku mediat kanë filmuar atë edhe duke bërë ushtrime gjimnastikore në natyrë me instruktor. Nga ana tjetër, duke qenë nën administrimin e Bashkisë së Tiranës, vila ruhej pasi ka statusin e muzeut. Por Peza ka qenë edhe simbol i festave të organizuara nga Bashkia e Tiranës, e cila në përvjetorët e Konferencës së Pezës në datën 16 shtator, ka organizuar koncerte për të rinjtë e kryeqytetit në fshatin periferik të Tiranës. Tashmë, me vendimin e fundit të Qeverisë, kjo vilë e njohur për historinë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore, do të ruhet dhe administrohet nga Ministria e Kulturës, çka i jep të drejtën kësaj ministrie të ruajë dhe përdorë vetë objektin.
Vendimi
Vendimi shpreh se Qeveria i është rikthyer vitit 2006. Sipas vetë vendimit, në vitin 2006 ky objekt ka qenë nën administrimin e Qeverisë, por qeveria “Berisha” vendosi që t’ia kalojë nën administrim Bashkisë së Tiranës. Vendimi i datës 12 maj 2010 e rikthen këtë vilë muze në administrimin e Qeverisë. Në pikën numër 1 Qeveria vendosi “kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të pronës së paluajtshme shtetërore ‘Muzeu i Konferencës së Pezës’, me numër rendor 275, në listën që i bashkëlidhet vendimit nr.834, datë 13.12.2006 të Këshillit të Ministrave ‘Për miratim e listës së pjesshme (pjesa e parë+pjesa e dytë) të inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që janë në juridiksionin territorial dhe administrativ të Bashkisë Tiranë të qarkut të Tiranës”. Pika 2 e vendimit përcakton se “Muzeu i Konferencës së Pezës” do t’i hiqet nga administrimi Bashkisë së Tiranës, e cila e mori nën ngarkim këtë muze nga e njëjta Qeveri në dhjetor të vitit 2006. “Prona e paluajtshme shtetërore ‘Muzeu i Konferencës së Pezës’ të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që janë në juridiksionin territorial dhe administrativ të Bashkisë Tiranë të qarkut të Tiranës, miratuar me vendimin nr.834, datë 13.12.2006 të Këshillit të Ministrave”, thuhet në pikën nr 2 të vendimit të Qeverisë. Institucionet qendrore janë ngarkuar për zbatimin e menjëhershëm të këtij vendimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›