E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në Cërrik donin t’na digjnin kufomat”



Armand Bajrami

“Urdhri ka qenë për t’i djegur kufomat me benzinë. E dëgjova kur e thoshte Meti Bozi”. Luan Prenga, ish-gardist i pranishëm në “Masakrën e Cerrikut”, u shpreh dje në Gjykatën për Krimet e Rënda se, kishte dëgjuar më veshët e tij kur civilët e armatosur që kishin sulmuar forcat e rendit në ngjarjen e 23 majit 1997, “thurnin plane” për djegien e kufomave të gardistëve të vdekur në qendër të Cërrikut. I thirrur si dëshmitar i prokurorisë, Prenga rrëfeu momentet kur u plagos në pritë, pamjet rrëqethëse të njerëzve të armatosur që dhunonin kufomat e kolegëve të tij të vrarë dhe për 10 orët e mbajtjes peng në një banesë në Cërrik. Nga tavolina e dëshmitarit, Prenga drejtoi gishtin tek të pandehurit Meti Bozi, Roland Xhepexhiu, Arjan Toska dhe Tomorr Buzani, duke i identifikuar ata si persona të pranishëm në ngjarje. Sipas dëshmitarit, forcat e Gardës kishin shkuar në Elbasan për të ruajtur rendin me armë pa fishekë. Ndërsa gjatë ndërhyrjes në Cërrik ata ishin urdhëruar prerazi të mos qëllonin për asnjë lloj shkaku pa urdhër të posaçëm. Dëshmia e Prengës zgjati më shumë se tri orë. Para gjykatës ai u prezantua me emrin Leonard Prenga, identitet i ndërruar në vitin 2000 për arsye emigrimi.
DESHMIA
Në fund të vitit 1996 kam shërbyer në Gardën e Republikës, detyrë që e kam mbajtur deri në fund të vitit 1997. Jam larguar me kërkesën time. Në vitin 1997 ishim në dispozicion të Ministrisë së Brendshme dhe në varësi të Gardës. Grupi im shkonte nëpër operacione, nëpër ngjarje. Shkonim atje ku na thërritnin. Më shpesh kemi vepruar në Tiranë, ndërsa jashtë saj kemi qenë në Elbasan. Erdhi një urdhëresë për këtë. Shkuam drejt Elbasanit. Ka qenë kohë pranvere e vitit 1997. Lëvizja drejt Elbasanit u bë me komandant Arjan Cengën. Na thanë paraprakisht që në Elbasan ka probleme dhe ne duhet të shkonim në mbështetje të strukturave lokale. Jemi nisur në mbrëmje. Fjetëm një natë në hotel. Na shpërndanë në institucione të ndryshme ku gjykohej se nevojitej prania jonë. Unë u caktova tek spitali i qytetit. Kemi qëndruar 3-4 ditë në Elbasan. Ne kërkuam të furnizoheshim me armatim, por komandanti ynë, Arjan Cenga, na tha: “Nuk na duhen armatimet. Ne jemi për të vendosur rend dhe qetësi”. Armët në Elbasan i kemi pasur figurative. I kemi pasur pa fishekë. U pajisëm me armë brezi, pistoletë. Ata që kanë pasur automatikë, kanë pasur një karikator të vetëm me fishekë. Na kishin udhëzuar të mos konfliktoheshim me askënd. Atë natë që shkuam në Elbasan udhëtuam me një automjet tip “IFA”. Erdhën edhe disa automjete të blinduara. Gjatë qëndrimit në Elbasan morëm vesh se në Cërrik po ndodhnin ngjarje të pazakonta. Ishin ngritur postblloqe shumë nga njerëz të armatosur. Arjan Cenga na komunikoi që ne kishim mundësinë të mbronim popullsinë në Cërrik. Na thanë që janë ngritur postblloqe nga grupe kriminale të armatosur. Madje na thanë edhe që në një nga këto postblloqe ishte ndaluar edhe një grua shtatzënë. Erdhën mjetet e blinduara. Arjan Cenga na komunikoi situatën dhe na tha që “presim një urdhër dhe nëse na thuhet të ndërhyjmë në Cërrik, ne do të ndihmojmë popullsinë atje”. Erdhi urdhri dhe u nisëm. Unë isha komandant i grupit tim dhe ne lëvizëm me një diagaç. Kërkuam armatim me këmbëngulje. Të paktën të kishim armatim për vetëmbrojtje, meqë po shkonim në një situatë të pazakontë. Na dhanë armatim dhe na thanë që në mënyrë kategorike nuk do të qëllojë njeri me armë. “Do të mbani përgjegjësi për çdo plumb të shkrehur”, na porositën. Mund të qëllonim vetëm me urdhër. Unë isha nga fundi i autokolonës. Në grupin tim kam pasur Qemal Mehmetin, Vladimir Nokën, Petrtit Gjokën dhe të tjerë. Kontrolluam për postblloqet e të armatosurve në Cërrik. Pamë shumë lëvizje njerëzish të armatosur, që largoheshin kur na shihnin. Bëmë lëvizje në qytet. Kemi kontrolluar që persona që na dukeshin të dyshimtë. Nuk kemi gjetur gjë, veç një personi që kishte një pushkë. U futëm në qytet. Pashë shumë forca policie me furgon “Iveco”. Unë kisha zbritur nga blindi kur pashë një blind tonin që u qëllua me granatahedhës. Me grupin tim shkuam më parë tek 2-3 pallate. Pyetëm banorët e tyre në kishin probleme apo shqetësime. Dikush prej tyre na tha të kishim kujdes, sepse kishte grupe të armatosura në qytet. Shkuam drejt kinemasë së qytetit. Para kinemasë është goditur një nga blindat tanë me granatahedhës. U shtuan të shtënat e armëve. Të shtënat vinin nga tarracat e pallateve. Unë pashë blindin në flakë. Pashë kolegët e mi që po digjeshin. Me granatahedhës është goditur nga pallati përballë kinemasë së qytetit. Ka pasur mbi 10 goditje me granatahedhës. Unë kam qenë rreth 25 metra larg blindit në flakë. Nga tanku doli Sali Martini, duke bërtitur “Vdiqëm burra! Na vranë!”. Shkuam dhe e tërhoqëm tek një cep ndërtese ku po qëndronim. E tërhoqëm unë dhe Fahri Metalia. Kur e vendosëm tek cepi ai dha shpirt. Kishte marrë plumba në gjoks dhe në fyt. Nuk e ndihmonim dot.
Më parë ne nuk menduam që mund të qëlloheshim nga tarracat. Nuk i kishim vënë re njerëzit mbi to. Krismat zgjatën rreth 45 minuta. Pashë Petrit Gjokën që ishte plagosur në këmbë. Shkova drejt tij dhe u plagosa vetë. Mora plumb në këmbë dhe një cifël granate në bel. Nuk i kam ndier plagët për momentin, por vetëm kur pashë veten të mbuluar në gjak. Tentuam të largoheshim. Përdorëm për t’u fshehur një lulishte, e cila ishte e ngritur nga toka, për të mos na parë personat e armatosur. Erdhi Qemal Mehmeti të më merrte. I thashë të largohej, pasi nuk më merrte dot. Ky ishte momenti i fundit që e pashë Qemalin gjallë. Pasi mbeta aty, i fshehur në lulishte, një nga banorët e pallatit më hodhi një palë pantallona të zeza. Me pantallonat e tjera lidha plagët. Ndërsa në pjesën e sipërme të trupit kisha një bluzë. Petritit Gjoka hoqi uniformën dhe kishte një kostum sportiv. Pastaj dukeshim si civilë. Grupi i armatosur lëvizte në rrugë. Banorët na tregonin lëvizjet e tyre. Unë kam parë se si u sollën të armatosurit me kufomat. I shikoja përmes bimëve të lulishtes ku isha fshehur. Kam parë njerëz që i zhvishnin. U fusnin duart nëpër xhepa. I tërhiqnin zvarrë.
Ne erdhën dhe na morën disa njerëz. Për një moment na u duk si ndihmë. Ishte familja e Alfons Dokollit. Fillimisht na u duk si ndihmë, pastaj na thanë që ishim pengje. Forcat tona kishin shoqëruar një mashkull të familjes së tyre. Aty na kanë torturuar. Pastaj, pas mbërritjes në shtëpinë e familjes Dokolli, njëri ka ardhur të na vrasë. Ishte ai atje (dëshmitari tregon me gisht nga kafazi i sallës së gjyqit, të pandehurin Meti Bozi). Ky ka ardhur dhe na ka bërë shumë pyetje. Të tjerë persona të armatosur kanë rrethuar gjithë shtëpinë. Na pyesnin: “Pse keni ardhur këtu? A e dini se ne ju vrasim? Ne do ju vrasim të gjithë juve ushtarakëve të veriut!”. Ne u thamë që kishim shkuar për të mbrojtur popullin. U largua ai dhe pastaj erdhi Roland Xhepexhiu (dëshmitari tregon me gisht të pandehurin Roland Xhepexhiu). Nuk foli fare, por me goditi direkt me automatik në kokë. Thoshte: Do ju vras të gjithëve! Ndërhynë familjarët që nuk na vranë. Kur erdhi Rolandi, erdhën edhe ata dy personat e tjerë, por ata nuk kanë bërë asnjë veprim (dëshmitari tregon me gisht të pandehurit Arjan Toska dhe Tomorr Buzani). Të njëjtët i kam parë edhe te lëvizjet e njerëzve të armatosur, kur isha fshehur tek lulishtja. Roland Xhepexhiu u largua për pesë minuta me një person që e thërriste ‘Turi’. Dhunë fizike tjetër nuk ka pasur, pasi ne na ka ndihmuar familja. Ndërsa presionet vinin nga Roland Xhepexhiu, nga ai që i thërrisnin ‘Turi’, një ‘Altin’ e disa të tjerë. Meti Bozi më është prezantuar si kryetar i Partisë Socialiste në Cërrik. Më tha: “Pushtetin do ta gëzojmë vetëm ne dhe ne do t’ju shfarosim të gjithëve”. Ka qenë edhe një person tjetër, pak a shumë në moshën e Bozit. Meti Bozin e pashë edhe tek grupi jashtë së bashku me Roland Xhepexhiun. Ndërsa tek shtëpia, pasi u largua Meti Bozi, aty erdhi një grua, një nuse nga veriu, që na tha: “Ku e patët ju këtë fat të keq! Na dha shumë mbështetje morale. Ajo na tha që nuk do të do të na gjente gjë, pasi ajo ishte familje e mirë. Petrit Gjoka ishte shumë rëndë dhe me ndihmën e familjes Dokolli ai u largua më pas. Jeta jonë është nga familja Dokolli. Dhunimin e kufomave nuk do t’ia fal kurrë. Dhunimi i kufomave ka qenë i jashtëzakonshëm. Ata vetëm shqiptarë që nuk ishin. Urdhri ka qenë për t’i djegur kufomat me benzinë. E dëgjova kur e thoshte Meti Bozi. Ka qenë reagimi i familjarëve “mos e bëni!” që kufomat nuk u dogjën. Kur u largova mua më nxori Alfons Dokolli. Më nxori në një mënyrë të fshehtë, larg syve të të armatosurve. U larguam në këmbë nëpër ca parcela. Më çoi tek motra e tij. Më dhanë tesha dhe ushqim. Pastaj hipa në një makinë të rastit. Gjatë rrugës nuk fola, për të mos u kuptuar se kush isha. Me automjetin udhëtova derisa takova kolegët e mi policë. Nuk di se ç’negociata janë bërë për lirimin tim. Kur isha në ngjarje, njihesha me emrin Luan Prenga.

“Negociuam në Cërrik për shmangien e gjakderdhjes”

TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda dëgjoi dje dëshminë e Ardian Shukut, ish-shoferi i ish-shefit të Komisariatit të Policisë Elbasan në vitin 1997. Sipas dëshmitarit, ai së bashku me ish-eprorin e tij, Fatos Suvaraj, kishin negociuar një ditë para “Masakrës së Cërrikut” me Meti Bozin dhe Roland Xhepexhiun për të shmangur përkeqësimin rrjedhës së ngjarjeve në Elbasan. “Në muajin maj shef i Komisariatit të Elbasanit u emërua Agron Kuliçi”, tha dëshmitari. Sipas tij, Kuliçi e kishte thirrur atë dhe ish-eprorin e tij në zyrë, ku u kishte kërkuar të negocionin me disa persona të armatosur që i ishin drejtuar Elbasanit. Sipas informacionit të dhënë nga Kuliçi, dëshmitari Fatos Suvaraj dhe një polic tjetër janë nisur drejt Cërrikut. “U përballëm me tri automjete. Njoha ndër personat që ndodheshin në to, Land Xhepexhiun dhe Meti Bozin. Nuk jam shumë i sigurt, por ka mundësi të ketë qenë edhe Llazar Bicja. Foli Fatosi me ta. Kishin një pretendim se përse drejtuesi i policisë së komisariatit të ishte nga veriu. Fatosi i tha që nuk do të shkoni në Elbasan, pasi këto janë punë që zgjidhen nga të tjerë. Personat u kthyen pas”, tha dëshmitari. Po sipas dëshmitarit, të njëjtët persona ai i kishte parë edhe pak ditë pas ngjarjes në Cërrik. Dëshmitari pohoi dje se kishte parë edhe kryetaren e bashkisë në atë kohës të qetësonte një turmë njerëzish. Sipas dëshmitarit, kryebashkiakja u pohonte se kishte komunikuar me Presidentin dhe në Cërrik do të vendosej rendi dhe qetësia. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›