E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Xhindit, nga 11 pista mbeten vetëm katër

 

Trashgim Sokolaj

Zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Përgj-ithshme të Policisë dhe policisë lokale të Fierit zhvilluan dje për disa orë një analizë të hetimeve për vrasjen e Fatmir Xhindit. Analiza filloi në orët e mëngjesit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në prani të drejtuesit të këtij institucioni Olsian Çela dhe katër prokurorëve të angazhuar me hetimin e ngjarjes. Pas mesditës zyrtarët e policisë dolën nga Prokuroria njëri pas tjetrit, fillimisht zv.drejtori për Hetimin e Krimeve, më pas Drejtori i Hetimit, Nikolin Bala, dhe në fund Drejtori i Policisë së Fierit, Shemsi Prençi. Ky i fundit nuk pranoi të japë detaje të hetimit, duke thënë se “media i ka zbuluar autorët e ngjarjes, para se ti zbulojë policia”. Burime zyrtare nga hetimi thanë se në analizën e djeshme, nga 11 pista që hetoheshin më parë për vrasjen e deputetit, është vendosur rrëzimi i shtatë prej tyre ndërsa katër kanë mbetur në fuqi. Për këto pista është vendosur të vazhdojë hetimi me grumbullimin e provave dhe informacioneve. 
“Ç`sjell minuti, nuk sjell moti”. Kjo fjalë e urtë popullore duket se i shkon për shtat tanimë, pikës ku kanë ngecur hetimet për atentatin ndaj ish-deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi. Ai u qëllua me breshëri armësh mbrëmjen e së shtunës që shkoi. Atentati ndodhi rreth orës 21:15 pranë shtëpisë së deputetit në Roskovec të Fierit. Rreth 20-30 minuta para se të afrohej tek oborri i banesës së tij, ku vrasësit i kishin zënë pritë, Fatmir Xhindi ka qenë në një lokal të zonës. Prania e deputetit në këtë lokal deri rreth orës 20:45, konfirmohet nga të paktën shtatë dëshmitarë të hetimit. Për rrethana rastësore, djali i deputetit nuk është kthyer në shtëpi me të atin, kështu që Fatmir Xhindi ka udhëtuar i vetëm në drejtim të banesës së tij, nga lokali ku kishte qëndruar deri pranë shtëpisë 2-katëshe, ku ruanin vrasësit. Ky interval kohor përbën misterin më të madh të ngjarjes, të paktën sipas burimeve zyrtare nga grupi i hetimit. “Kemi arritur të zbardhim detaje të aktivitetit të viteve të fundit. Është zbardhur me dëshmitarë okularë i gjithë aktiviteti që deputeti ka pasur ditën kur ndodhi vrasja. Në mëngjes ai ka qenë në Tiranë, më pas ka udhëtuar për në Fier, ka mbërritur në fshatin Kurjan dhe në darkë, është kthyer në Roskovec. I vetmi interval kohor për të cilin nuk ka asnjë rrethanë, asnjë dëshmitar dhe asnjë informacion, është momenti kur Fatmir Xhindi ka dalë nga lokali e derisa ka mbërritur në oborrin e banesës, ku është qëlluar me breshëri armësh sapo ka zbritur nga automjeti”, thanë burimet zyrtare nga hetimi. Zyrtarët nuk preferuan të bëjnë supozime të pabaza në lidhje me çfarë mund të ketë ndodhur në këtë interval kohor. Megjithatë nga dita e fundit e jetës së deputetit socialist ka mbetur i pazbardhur pikërisht ky interval kohor, që mund të ketë qenë vendimtar për ngjarjen e ndodhur më pas. Hetuesit pranojnë se kjo është një pikë e errët e ngjarjes, megjithatë nga ana tjetër, mekanizmi i krimit duket se jep një përgjigje për këtë. Duke iu referuar mënyrës si ka ndodhur vrasja dhe mekanizmit të saj, besohet se ekzekutorët kanë pritur për disa minuta diku pranë banesës së deputetit 49-vjeçar. Është e qartë se vrasësi ka pritur derisa deputeti ka afruar makinën në oborrin e shtëpisë dhe ka zbritur nga automjeti. Në këtë kohë Fatmir Xhindi është qëlluar me armë, duke mbetur i vdekur në vend. Intervali i shkurtër kohor nga momenti i daljes prej lokalit ku ndodhej më parë deputeti, deri te mbërritja në banesën e tij, duket se edhe nëse do të përmbante ndonjë incident të rëndë, nuk do ti jepte kohë autorëve të organizonin pritën para banesës së 49-vjeçarit.

Fier, 300 të shoqëruar për vrasjen e Fatmir Xhindit

FIER – Pas pesë ditësh nga krimi që i mori jetën deputetit socialist, Fatmir Xhindi, policia e Fierit e çon në 300 numrin e të shoqëruarve. Marrja e dëshmive të personave, nga Roskoveci dhe nga fshati Kurjan janë zhvillimet e dukshme të çështjes, ndërsa grupi hetimor nuk bën të ditur nëse e kanë identifikuar plotësisht autorin e ekzekutimit dhe motivet që e shtynë atë drejt këtij akti. Hetimi, sipas burimeve nga grupi hetimor, po përqendrohet në ato pak prova të zbuluara, të cilat ende nuk bëhen të ditura zyrtarisht. Vetëm gjatë ditës së djeshme u morën në pyetje 10 persona nga zona e Roskovecit, të cilët ishin pyetur edhe më parë, por kishin qenë jo shumë të qartë në ato që kishin shprehur, kjo sipas hetuesve për shkak të emocioneve të momentit. Paralel me këto shoqërime nga policia po punohet edhe me hetimin dhe përgjimin e telefonatave të atyre që mund të kenë pasur qoftë edhe lidhje shoqërore me viktimën. Të pyeturit e deritanishëm mësohet t’i përkasin moshës nga 18-33 vjeç dhe janë pikërisht nga Kurjani dhe Roskoveci. Pas marrjes në pyetje të të gjithë shtetasve ka vijuar edhe shqyrtimi i të dhënave të tyre, por nuk flitet nëse ato kanë pasur rëndësi për hetimin. Një ditë më parë familjarët e Fatmir Xhindit kërkuan zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes, pasi vonesa çon në zhdukjen e provave të krimit.                                                               m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›