Vlorë, jahtet turistike te huaja ne brigjet e Rivierës
Në pikën kufitare të portit të Vlorës, aplikohen procedura të përshpejtuara për mjetet lundruese turistike të huaja, që ankorohen përgjatë bregdetit. Drejtori i Drejtorisë së Policisë Kufitare dhe Migracionit, për Qarkun e Vlorës, drejtues Myzafer Elezi, tha se, procedurat zgjasin mesatarisht 3-4 minuta, aq sa është e nevojshme për të regjistruar në sistemin TIMS, mjetin dhe të dhënat personale të shtetasit të huaj.
Mjeti lundrues turistik, jaht apo çdo lloj tjetër, paraqitet fillimisht në pikën kufitare të portit të Vlorës, ku, kryhet praktika e regjistrimit, e cila përfundon brenda një kohe shumë të shkurtër, thotë Elezi. Ai sqaron se, në këto procedura përfshihet edhe deklarimi i kohës së qëndrimit dhe, më pas, mjeti lejohet të lundrojë për në destinacionin e vet, siç mund të jetë porti i jahteve, në Orikum, apo të ankorohet në kalatat e portit të Vlorës. E njëjta praktikë ndiqet edhe për kroçierat, që ankorohen në portin e Vlorës, të cilat, gjithashtu, trajtohen me procedurë të përshpejtuar. Por, Elezi, nuk përjashton edhe rastet kur, në gjirin detar të Vlorës, hyjnë më shumë se 3-4 mjete lundruese turistike, të cilat kanë si destinacion portin e jahteve në Orikum. Në kushte të tilla, në bashkëpunim me autoritetet e tjera portuale, dogana dhe kapiteneria, caktohet një personel i posaçëm që kryhen procedurat pranë portit, ku mjetet kanë destinacionin. Kjo ka ndodhur gjatë sezonit turistik veror 2008, kur, në portin e jahteve u organizuan dy regata, me itinerar Orikum-Itali, në të cilat morën pjesë disa dhjetëra jahte e veliera italiane.