E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëjetesa sociale, pleq, jetimë dhe të sëmurë mendorë në azilin e Shkodrës

Shtëpia e të moshuarve në Shkodër tashmë ka mbetur streha e vetme që mbledh si pleqtë, të cilët kanë këtë destinacion, ashtu edhe disa të sëmurë lehtë mendorë dhe të rinj jetimë që nuk kanë një shtëpi dhe kanë dalë nga vendi ku janë rritur me vite. Tashmë bashkë me moshën e tretë bashkëjetojnë edhe të rinj 30- vjeçarë, të cilët pasi janë nxjerrë në rrugë nga jetimorja, kanë gjetur strehë tek të moshuarit. Ndërsa një pjesë jo e vogël e pjesëtarëve të azilit janë me probleme mendore apo edhe fizike. E kjo duket qartë në rrugët e qytetit edhe pse duhet thënë nuk demonstrojnë ndonjë agresivitet, i cili do ti çonte pastaj në spitalin kurues. Aktualisht në shtëpinë e të moshuarve në Shkodër jetojnë apo edhe rehabilitohen 67 persona. Ndonëse për këtë vit janë shtuar 20 persona, numri i personelit që u shërben atyre është i njëjtë. Këtë fakt e ka pohuar para pak ditëve drejtoresha e Shtëpisë së të Moshuarve në Shkodër, Vildana Gushta. Vitin e kaluar numri i personave në shtëpi u shtua me 20 të tjerë, ndërsa numri i personelit nuk ka ndryshuar fare. Kjo bën që të kemi dhe vështirësi. Në të përgjithshmen kushtet janë të mira. Por për të rritur standardet duhet të kemi një strukturë më të gjerë të stafit të punonjësve, u shpreh Gushta. Në Shtëpinë e të Moshuarve trajtohen 25 gra dhe 42 burra. Por sipas drejtoreshës Gushta gradualisht shtëpisë po i ikën funksioni i vetëm që ka pasur. Ndryshe nga shtëpitë e qyteteve të tjera, institucioni ynë ka filluar të humbë pak atë kuptimin si shtëpi e të moshuarve. Kjo pasi këtu kemi grupmosha të ndryshme, nga 30 deri në 90 vjeç. Ne kemi pranuar edhe të rritur që dalin nga jetimorja e Shkodrës, u shpreh më tej Gushta. Sipas saj, ka pasur disa raste që të moshuarit janë lidhur me njëri-tjetrin, madje dhe deri në martesë. Gjithsesi, Shtëpia e të Moshuarve në Shkodër strehon dhe arrin të punojë në kushte të vështira dhe me një personal të njëjtë, gjë që e ka vënë në siklet si personelin dhe vetë grup moshat aty.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›