Muzikë dhe folk në panairin e librit në Gjirokastër
Në kuadrin e organizimit të festivalit Fest-Argjiro 2009 në Gjirokastër nga Bashkia e këtij qyteti, në datat 12-14 maj 2009, në sheshin para turizmit (Hotel Çajupi) do të organizohet edhe Panairi i Librit, tradicional në këtë qytet, me pjesëmarrjen e një pjese të botuesve nga Shqipëria. Panairi do të jetë i hapur gjatë gjithë ditës. Me këtë rast Bashkia e Gjirokastrës ka marrë përsipër sigurimin falas të akomodimit të botuesve, një shembull i rrallë nga pushtetet qendrore e vendore, duke shprehur kështu vlerësimin dhe interesimin e madh të saj për kulturën e shkruar shqiptare.
Për lexuesit e interesuar ndër shtëpitë botuese që marrin pjesë përmendim Toena, Dituria, Ombra GVG, Skanderbeg Books, Fan Noli, Akademia e Shkencave, agjencia e shpërndarjes së librit Kuçuku, Argjiro, Çamëria, Argeta, Bota Shqiptare, librare nga Gjirokastra etj. Ceremonia e Çeljes së Panairit të Librit në Gjirokastër do të organizohet nesër në orën 9.00 me pjesëmarrjen e kryetarit të Bashkisë, z. Flamur Bime, pjesëmarrësve në festivalin e folkut, libërdashësve gjirokastritë dhe të ftuarve të shumtë me këtë rast. Gjatë ditëve të panairit do të organizohen edhe disa takime me shkrimtarë e studiues përmendim këtu shkrimtaren Diana Çuli, studiuesin Pirro Misha dhe diskutimin rreth librit të tij Arratisja nga burgjet e kujtesës (Çdo të thotë sot të jesh shqiptar). Në Shkollën e Mesme të Lazaratit do të organizohet ceremonia e akordimit të çmimit vjetor Tasim Gjokutaj për librin më të mirë për fëmijë për vitin 2008. Instituti i Librit dhe Promocionit Toena organizon gjithashtu takimin me shkrimtarin gjirokastrit Odise Kote dhe përurimin e librit të tij të sapodalë në qarkullim Vejusha (Novela dhe tregime).Ndërkohë që Fest-Argjiro 2009 do të hapet në odeonin e Bashtesë së Teqesë. Ansambli Gjirokastra, Ansambli Jehona e Dukagjinit Klinë, Kosovë, Ansambli Katundi jonë San Narzano, Itali, Ansambli Burimet e Sharit, Tetovë, si dhe të ftuar grupet e Përmetit e Delvinës, por dhe Ansambli Karshiaka Shkup, Maqedoni do të jenë grupet e natës së parë të festivalit. Po ashtu dhe nata e dytë do të jetë e pasur me repertor folklorik. Ndërkohë që nata e tretë në Bashtenë e Teqesë do të ketë koncert me numra të zgjedhura. Ansambli Tirana, të ftuar grupi Igumenica, Vlorë, Ansambli Shote Galica, Drenas, Ansambli Hemus, Bullgari, Ansambli Vela Luka, Kroaci, Ansambli Sulit, Janinë dhe Ansambli Gjirokastra do të performojnë për publikun.