Antigona kërkon eshtrat e diktaturës
Në sallën e provave të Teatrit Kombëtar është duke u përgatitur vënia në skenë e dramës "Antigona kërkon të atin", e shkruar nga dramaturgu dhe regjisori Mihal Luarasi. Drama sjell për publikun temën e të drejtës për trajtimin njerëzor të viktimave të diktaturës. Në qendër të saj është Antigona, e cila vihet në kërkim të eshtrave të të atit, të ekzekutuar në kohën e regjimit komunist si armik i popullit. Nëpërmjet kësaj drame regjisori Luarasi kërkon të transmetojë mesazhin se shoqëria shqiptare nuk do të shkëputet përfundimisht nga koha e diktaturës dhe e komunizmit shqiptar, nëse nuk kërkohet falje nga ata që i shkaktuan këto vuajtje shoqërisë shqiptare. Në rolet kryesore interpretojnë aktorët Edi Luarasi, Fatos Sela, Ahmet Pasha, Ina Gjoni dhe Gjergji Mena. Vetë regjisori ka përjetuar vuajtjet e diktaturës, pas një dënimi 8-vjeçar. Luarasi iu kthye teatrit vetëm pas viteve ‘90. Pjesët e fundit që ka vënë në skenën shqiptare kanë qenë drama e Ruzhdi Pulahës "Streha e të harruarve" në 60-vjetorin e Teatrit Kombëtar, si dhe "Korbi i bardhë".