E Diel, 1 Nëntor 2026

My baby, thirren në prokurori dy mjekët e Mbretëreshës Geraldinë

Grupi hetimor është në përfundim të hetimeve ndaj kirurgut Janaq Kasapi dhe anestezistit Arti Qosja

Prokuroria e Tiranës ka thirrur për deklarime dy mjekët pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, që akuzohen për korrupsion pasiv, ndërsa mësohet se dosja ndaj tyre është në përfundim e sipër. Kirurgu gjinekolog, Janaq Kasapi, dhe anestezisti Arti Qosja, dyshohen se kanë marrë ryshfet 50 mijë lekë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për lindjen e një fëmije. Operacioni policor për shoqërimin e mjekëve u kodua “My baby” dhe hetimet e mëvonshme të prokurorisë kanë përcaktuar dyshime të arsyeshme se dy mjekët kanë konsumuar vepër penale. Hetimet janë në fazën e fundit dhe prokuroria do t’u dërgojë Kasapit dhe Qosjes një fletë-thirrje për të dhënë deklarime. Ndërkohë, hetues të çështjes do të shkojnë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” për të marrë kartelat mjekësore të ndërhyrjeve kirurgjikale në dy raste. Sipas prokurorisë, aktiviteti i paligjshëm i mjekëve kishte vazhduar për disa muaj dhe janë dashur hetimet e njësisë antikorrupsion në prokurori për të zbuluar abuzimet në maternitet. Ndërkohë, për rastin në fjalë, Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim për shtyp, duke deklaruar se janë dokumentuar abuzimet për këta mjekë. Në një dalje publike, Policia e Tiranës tha se “në kuadër të operacionit policor të koduar ‘My baby’, i realizuar nga Policia e Tiranës, në bashkëpunim me njësinë Task Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës, u arrit të dokumentohet aktiviteti i dy mjekëve pranë maternitetit ‘Mbretëresha Geraldinë’ në Tiranë”. Sipas tyre, të hetuarit janë Janaq Kasapi, 54 vjeç, me banim në Tiranë, me detyrë mjek kirurg dhe përgjegjës i grupit të mjekëve pranë maternitetit të Tiranës dhe Arti Qosja, 38 vjeç, me banim në Tiranë, me detyrë mjek reanimator pranë të njëjtit maternitet. “Në ngarkim të tyre, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurimit ‘garanci pasurore’, për konsumim të veprës penale të ‘korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’, në bashkëpunim”, thanë burimet nga Policia e Tiranës. Sipas tyre, pas një hetimi disamujor të Prokurorisë së Tiranës, u dokumentua tërësisht implikimi i tyre, ku për çdo lindje me operacion, shtetasit e sipërpërmendur dyshohet se merrnin shumën prej 50000 lekësh. Prokuroria kërkoi pezullimin e mjekëve, ndërsa pas verifikimeve paraprake togat e zeza vendosën ndaj të hetuarve një garanci pasurore, e cila është 500 mijë lekë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›