Myfarete Laze joshet nga të kënduarit “live”
Këngëtarja e njohur Myfarete Laze ka befasuar publikun e “Top Fest 7”, ndërsa ka dalë në skenë si konkurrente në garën e muzikës moderne, që do të finalizohet në maj, me natën e çmimeve, ku këngëtarët këndojnë “live”. Këngëtarja konkurron për herë të parë në këtë eveniment, që njihet më shumë si festivali i të rinjve, në duet me këngëtarin e ri Denis Hasa me këngën me titull “Më jep jetë”. Duket se artistja 51-vjeçare me karrierë shumëvjeçare është joshur nga të kënduarit “live” në këtë edicion, një provë e mirë për të gjithë këngëtarët e vërtetë. E pyetur nga “Panorama” se cili ka qenë motivi që e ka shtyrë të marrë pjesë, këngëtarja ka pohuar se; ”është festivali i të gjithëve dhe doja të jepja një mesazh për të gjithë këngëtarët, të bëhen bashkë në një skenë të mirë pa dallim moshe e rryme muzikore. Nuk duhet të ketë paragjykime, pasi ky është festival masiv dhe që u jep mundësi të gjithëve”, tha këngëtarja. Myfarete Laze nuk është shkëputur asnjëherë nga pjesëmarrja në koncerte e festivale të rëndësishme. Aktualisht jep koncerte jashtë vendit, kryesisht në Kosovë. Ajo u ngjit për herë të parë në skenën e festivalit në moshën 18-vjeçare.