N’mot edhe më të mirë

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho i ka thumbuar rivalët, pas fitores së të shtunës mbrëma ndaj Valencias me rezultat 6:3. Ekipi B i Realit për një moment po udhëhiqte 5-0, duke iu falënderuar hat-trickut të Gonzalo Higuain, i cili gjithashtu dhuroi dy asistime.
Valencia shënoi dy gola në 10 minutat e fundit, duke e ‘mbuluar’ turpin. Mirëpo, ajo që u pa te madrilenët është ngritja në cilësi, vetëm tri ditë pas triumfit në ‘Copa del Rey’, kundër Barcelonës.
Madrilenët kanë 8 pikë më pak se rivalët e përbetuar në La Liga, 5 xhiro pa përfunduar sezoni. Por, trajneri portugez thotë se djelmoshat e tij po përmirësohen dhe se pret nga ta gjëra të mëdha sezonin e ardhshëm, ku ‘Merengues’ synojnë ta fusin përfundi gjigantin katalonas në kampionatin spanjoll.
“Gjithmonë e kam thënë se sezoni i dytë do të jetë më i mirë se i pari. Do të jetë një rezultat i asaj se çka kanë mësuar lojtarët, çfarë ka mësuar trajneri nga lojtarët dhe çka ka mësuar trajneri nga sfida që është e re për të”, thotë Mourinho për mediat spanjolle.
“Një ekip i këtij klasi dhe i moshës nën mesatare, duhet të ndryshojë shumë, normalisht. Ne gjithmonë kemi për të mësuar, duke ndërruar 2-3 lojtarë. Sezonin e ardhshëm ne nuk do të merremi duke u munduar ta njohim njëri-tjetrin, por do ta fillojmë një hap përpara”, shtoi ai.
Mourinho insiston se gjithmonë, si në Porto, Chelsea apo Inter, i kishte ndodhur që ekipet të luanin më mirë në sezonin e dytë. Ai shpreson se kjo do të ndodhë edhe në Real Madrid.
“Ne e fituam një trofe dhe jemi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa titulli ende nuk është paketuar. Ky është një fillim i mirë, i cili i jep besim këtij grupi”, vazhdoi ai.
Mourinho e kishte fituar Ligën e Kampionëve me Porton, ndërsa me Chelsean kishte arritur ta fitonte vetëm titullin kombëtar. Në ekipin e tij të fundit, Inter, në sezonin e parë e fitonte Scudetton, ndërsa në të dytin Ligën e Kampionëve.