Një mik që iku larg
Ndodh që kur hap adresën tënde elektronike ke gjithmonë një parandjenjë të veçantë. Dhe kjo e veçantë ndodh sepse një pjesë e vetes tënde nuk është aty, ajo ndodhet larg. E kjo pjesë e jotja janë ata me të cilët ke ndarë një pjesë të mirë të jetës tënde, të punës tënde, të gëzimeve dhe shqetësimeve të tua. Krijimtaria dhe njerzillëku ecin gjithmonë bashkë. Ata janë miqtë e tu, kolegët, të afërmit. E ata janë shumë. Është Esperanca, Vlashi, Jani, Vangjo, Vani, Niko, Xhovalini, Josifi, e shumë e shumë të tjerë. E megjithatë, pavarësisht nga distanca, mendon se i ke prapë afër, e një ditë do të piqesh. Dhe kjo ka ndodhur realisht. Natyrisht që edhe me Borisin isha i sigurt, një ditë do të takoheshim. Ose ai do të vinte këtu me patjetër. Por, mbase dhe mua do të më binte një herë rruga andej nga Kanadaja. Por, dhe kjo por, nganjëherë merr një kuptim fatal.
********
Shpesh, në takimet me miqtë, pyetja e parë që u bën, është: Si je? E natyrisht, kjo merr vlerë jo vetëm për ata që takohesh e pi kafenë e ditës. Ajo fillon e tjetërsohet në një vlerë të madhe njerëzore, edhe për miqtë e tu larg, ata, me të cilët nuk të lidh vetëm një kafe mëngjesi por, një histori e tërë. Në këtë sens kuptimi i fjalës, Si je? Si ke qenë?, merr peshë, atëherë kur përballë teje qëndron një boshllëk. I pabesueshëm, po për fat të keq i vërtetë, lajmi që erdhi nga Kanadaja. Boris Ikonomi ndërroi jetë. Fjalë krejt të papërshtatshme që nuk shkon të thuhen për Borisin. Kjo, se me të njohurit, shokët dhe miqtë e tij, lidhjet e vrullshme të punës dhe shoqëria kanë mbetur të paprekura nga vitet dhe largësia, siç ishin para 1999-s, kur Borisi vendosi të ikte, bashkë me familjen, në Kanada. Madje duket se një pjesë e rëndësishme e lidhjeve dhe kujtimeve mbetën të ngrira dhe të mbrojtura, si nëpër magjitë e përrallave, brenda korridoreve të errët e të heshtur tashmë të Kinostudios. Të flasësh për Borisin duhet kohë, një kohë e gjatë si në përralla. Fjalia e parë nis që në shkollën fillore, tek "Avni Rustemi" kur të dy ne, ishim nxënës të asaj shkolle. E më pas, Liceu Artistik, Akademia e Arteve dhe finishi, studio "Albafilm Animacion". Janë rreth 30 vjet.
Si e kam njohur unë Borisin
Të shkruash për Boris Ikonomin nuk është e lehtë. Sepse, ndonëse piktor grafist, ai ishte shumë i ndjeshëm dhe ndaj fjalës, madje në debatet që bënim, kishin në thelb pikërisht këtë: fjalën, kuptimin, dallimin. Aq më shumë se fjalët që shkruhen tani mbeten disi njëpalëshe, pa replikë, pa përgjigje. Gjë e papërfytyrueshme në komunikimin me Borisin, që ishte këmbëngulës deri në fund për të thënë të tijën. Dhe këtë e bënte me fjalë, me figurë, me të gjitha mjetet shprehëse, siç e kërkonte dhe pozicioni i krijuesit të filmit vizatimor. Me një fantazi të pashtershme, të ngulur fort në arsyetimin edhe të vetë mungesës së arsyes, një element edhe ky thelbësor për atë që merr përsipër të bëjë film vizatimor. Dhe diçka tjetër: që në punët e para, profili i tij krijues ishte i përcaktuar, madje autoritar. Dinte çfarë kërkonte e ku donte të arrinte. Një gjë e veçantë ishte prirja drejt kombëtares, por në mënyrë të natyrshme, jo si flamur, por si një fill, një prani që nuk bërtet, por thotë: jam këtu. Krijimtaria për të ishte lëvizje, ishte jetë, e në jetë, gjërat nuk qëndrojnë statike. Kjo natyrë e tij nuk mund të rrinte e vetmuar vetëm në një krah. Tek ai shkonin paralel dhe ana njerëzore, komunikimi mes njerëzve të ndryshëm në aftësi e koncepte. Dhe në këtë përballje ai respektonte dhe argumentonte. Boris pati fatin të ishte bashkudhëtar i fillesave të gjinisë së animacionit në Shqipëri, ku menjëherë pas studimeve filloi punë në Studion e Animacionit. Në një kohë tepër të shpejtë, që me filmat e parë tregoi aftësitë e tij të përkryera, vullnetin dhe talentin, origjinalitetin artistik e krijues. Me vrullin e parë rinor, nga viti 1979, kur filloi punë në Kinostudio, deri më 1992, krijoi 11 filma, (tre me bashkautor), duke marrë përsipër të përçojë mesazhe të dobishme, kombëtare e universale dhe duke shmangur tërësisht temat politike dhe filmat e cilësuar si "të lehtë". "Agroni dhe nafta", "Puna është flori", "Zemërimi i shkronjave", "Ilira", "Nevoja të ndihmon", "Zëri i gjakut, zëri i tokës", "Merimanga dhe brumbulli", "Dy vëllezërit dhe ujku", "Mëndja, mëndje", "Kopshtari", janë filma që mbeten këtu. Ai i la tek ne për të na kujtuar se ai është me ne, me hallet dhe shqetësimet tona. Filmat e tij do të mbeten në historinë e artë të kinemasë së animacionit për vlerat që sollën me aplikimet teknike ku ti përherë ishe kërkues i së resë prej ku shumëkush mësoi. Si një grafist i lindur dhe krijues, ai e shihte filmin, jo vetëm si ndërtim mizanskene, por si një vepër të mirëfilltë arti. Aty duhej të ndërthureshin në mënyrë harmonike tërë elementet e një filmi. Kërkesat e tij artistike nuk mund të ecnin në mënyrë empirike, sporadike por në unison estetik e profesional. Ai ishte kërkues në marrjen e vazhdueshme të informacionit mbi zhvillimet e animacionit në botë, teknikat dhe konceptet e reja. "Mjafton të duash, gjithmonë do të gjesh", thoshte shpesh në bisedat e diskutimet tona të përhershme ku Borisi ishte mjaft aktiv. Borisi ishte mjaft polemik. Kjo jo për ego profesionale, sepse, duke pasur vetë koncepte të qarta, dëshironte që, edhe krijuesit e tjerë e sidomos të rinjtë, të ishin kërkues në punën e tyre. Në Shqipëri nuk ka pasur e nuk ka ende një shkollë animacioni. Por, shkolla më e mirë e saj, kanë qenë diskutimet e gjalla e pa kompromis mes kolegësh, pjesëmarrja aktive në diskutime, rrahje mendimesh e konceptesh saqë shpesh dilnin jashtë kornizave të kohës. Krijimtaria e tyre e tregon këtë, e brenda saj dhe krijimtaria e Borisit. Operatorët, piktorët, piktorët ekzekutues, montazhierët, ndërtuan një traditë, krijuan një emër, ngritën një vlerë, Animacionin Shqiptar. E në këtë traditë të suksesshme ka vendin e tij të pazëvendësueshëm e të nderuar, edhe krijimtaria e Borisit. Borisi krijues e Borisi familjar e prind, janë dy rrugë paralele të barasvlefshme, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse ngrenë në një pikë të lartë e kulmore, Borisin, mikun, shokun, kolegun e familjarin njerëzor. Ne sot kujtojmë me nderim e respekt të veçantë atë dhe veprën e tij. Ajo mbetet këtu mes të gjallëve të kësaj bote, sepse është vepra e tij që ka fituar betejën me vdekjen. Këtu ke mbetur përgjithnjë mes të gjallësh.
Aktiviteti
Një aktivitet përkujtimor për një nga regjisorët e njohur të animacionit shqiptar, Boris Ikonomi, do të zhvillohet nesër në orën 18:00 në kinema "Millenium". Aktiviteti, nismë e Shoqatës së Animacionit Shqiptar, në bashkëpunim me familjen e artistit, është një nderim dhe homazh për veprën e këtij artisti që u nda nga jeta më 15 nëntor 2008. Shtatë nga njëmbëdhjetë filmat që mbajnë firmën e Ikonomit dhe që kanë mbetur në kujtesën e publikut e të kinematografisë shqiptare do të dalin nga Arkivi Qendror i Filmit për t‘u projektuar përgjatë një ore në ekranin e madh. Në këtë ceremoni që zhvillohet pikërisht në ditëlindjen e regjisorit do të marrin pjesë regjisorë, skenaristë, piktorë dhe të afërm të regjisorit.