E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatri Kombëtar hyn në Unionin Evropian

Prej pak ditësh, Teatri ynë Kombëtar është bërë anëtar me të drejta të plota i Unionit Evropian Teatror. Përgjigjja zyrtare ka ardhur nga presidenti i ETC-së, Zhan Klod Beruti. Lajmi është pritur me entuziazëm nga strukturat drejtuese. Drejtori Kristaq Skrami e quan këtë anëtarësim si një përmbushje më tej të idesë për një teatër të hapur. "Anëtarësimi në këtë organizëm ku aderojnë disa nga teatrot më të rëndësishëm kombëtarë, është një mundësi më tej bashkëpunimi dhe promovimi për teatrin shqiptar në Evropë. Këto mundësi nuk nënkuptojnë vetëm Teatrin Kombëtar", ka theksuar Skrami. Ndonëse gjërat nuk janë bërë ende të qarta në detajet e tyre, për drejtorin e TK-së, ky është një hap shumë pozitiv. Gjithçka do të saktësohet në mbledhjen e përgjithshme që do të mbahet nga data 21 deri më 23 maj në Drezel të Gjermanisë. Teatri Kombëtar është i ftuar të marrë pjesë për herë të parë. Programi parashikon ndjekjen e dy-tri shfaqjeve dhe takime me ministren gjermane të Kulturës, presidentin e ETC-së. Ndërkohë që pas kësaj mbledhjeje, sekretari i kësaj organizate do të mbërrijë në Tiranë për të prekur nga afër gjendjen e teatrit shqiptar. Deri më tani, në një komunikim online, të dhënat e dërguara përfshijnë vetëm një historik të shkurtër të Teatrit Kombëtar dhe disa tituj veprash që janë pjesë e repertorit. "Sekretari i Unionit të Teatrove Evropiane do të mbërrijë këtu në datat 23, 24 dhe 25 maj për të ndjekur dy shfaqje; "Trojanët" dhe "Filumena Marturano". Ne kemi përgatitur edhe një DVD me sekuencat e disa shfaqjeve kryesore të repertorit të teatrit", shprehet Skrami. Ndonëse vazhdimisht ne flasim për një krizë teatrore në Shqipëri, për vlera relative e duke menduar gjithashtu se buxhetet që vihen në dispozicion për teatrot e tjera evropiane dhe kapacitetet e tyre për realizimin e veprave të mëdha nuk mund të barazohen, Skrami mbështetet në titujt e veprave që janë ngjitur në TK. Sipas tij, dramaturgjia e prezantuar nga "Franku i V" i Durrenmat, "Trojanët" e Euripidit, "Fishkëllimë në errësirë" e Artur Miler dhe "Filumena Marturano" e De Filipos, janë një garanci për ballafaqimin e teatrit tonë. Anëtarësimi me kritere të plota parashikon pagesën e një shifre prej 5 mijë eurosh, si i vetmi kriter për momentin. Ndërkohë që ekziston edhe një anëtarësim i dytë, në rolin e vëzhguesit, për të cilën paguhet vetëm 2 mijë euro. Për drejtorin Skrami kjo është një shifër e përballueshme dhe e justifikuar me përfitimet që mund të rrjedhin. Më së pari, ai rendit promovimin e teatrit edhe përmes lehtësirave që krijohen për pjesëmarrje në festivale të ndryshme, ku funksionojnë marrëdhëniet me menaxherët apo kritikët e teatrit. Së dyti, ai flet për aplikime projektesh të përbashkëta e më tej për kontaktin e vazhdueshëm me teatrin avangardist dhe tendencat më të fundit. Nuk flitet për përfitime në buxhet, një nga pikat e dobëta të teatrit tonë. Edhe pse pjesë e këtij unioni janë teatro me strukturë të konsoliduar dhe ligje të përcaktuara të artit skenik, Skrami shprehet se ky nuk ka qenë një kriter për anëtarësimin. "Gjërat do të sqarohen në detaje në mbledhjen e përgjithshme, megjithatë, në forum respektohet individualiteti i çdo teatri", shprehet Skrami. Sipas tij, mund të ketë për të mësuar edhe nga mënyra e menaxhimit të teatrove të ndryshme, duke e përshtatur në Teatrin Kombëtar. Pjesëmarrja në edicionin e dytë të festivalit me pjesë nga antikiteti që do të organizohet në Izmir të Turqisë në korrik edhe nën logon e ETC-së, do të jetë prezantimi i parë si pjesë e këtij unioni. Do të përfaqësohemi me "Trojanët". Ky është një festival lëvizës në shtete të ndryshme, por Skrami pranon se Shqipëria është larg potencialeve për të marrë përsipër aktivitete të tilla.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›