E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosta Trebicka rrëfehet në prokurori

 

Biznesmeni Kosta Trebicka dëshmon për 6 orë në Prokurorinë e Përgjithshme për fishekët shqiptarë drejt Kabulit

 

Denoncuesi i tregtisë së fishekëve drejt Kabulit dëshmon për takimet me Pinarin dhe Mediun

TIRANË- Biznesmeni që denoncoi aferën e armëve shqiptare drejt Kabulit merret në pyetje për 6 orë në prokurori. Kosta Trebicka i është përgjigjur dje pozitivisht ftesës së grupit special hetimor, të ngritur në Prokurorinë e Përgjithshme për të dëshmuar mbi gjithçka dinte për kontratën e lidhur mes kompanisë MEICO dhe pronarit të kompanisë amerikane AEY, 22-vjeçarit Efraim Diveroli. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë me dije se Trebicka është futur në mjediset e organit qendror të akuzës pasditen e djeshme dhe ka dalë që aty 6 orë më vonë, duke lënë edhe një seancë tjetër pyetjesh për ditën e sotme. Ai u ka dorëzuar prokurorëve që po hetojnë paralelisht me tragjedinë e Gërdecit edhe çështjen e tregtisë së fishekëve një sërë dokumentash që vërtetojnë dëshminë e tij.

***

"Kosta Trebicka është marrë në pyetje në cilësinë e deklaruesit dhe personit që ka dijeni për çështjen, për të ndihmuar hetimin e tregtisë së fishekëve shqiptarë drejt Afganistanit"-pohuan mbrëmë burime nga prokuroria. Mësohet se atij i janë drejtuar disa pyetje radhazi për takimet që kishte pasur me ish-ministrin Mediu dhe rolin e këtij të fundit në kontratën e lidhur me kompaninë AEY për furnizimin me armatim të ushtrisë së Afganistanit. "Trebicka u qëndroi të gjitha deklarimeve që ka dhënë për mediat",-bënë me dije burimet e mësipërme. Gjatë marrjes në pyetje, ditën e djeshme, mësohet se Kosta Trebicka i ka dorëzuar bisedat e përgjuara mes tij dhe Diverolit si dhe dokumentet që lidhen me abuzimet që ai ka denoncuar. Sipas këtyre burimeve, dëshmia e Trebickës për prokurorët është e vlefshme dhe do të verifikohet, pasi në deklarimet e tij përmendet edhe emri i Mihal Delijorgjit, i cili është arrestuar si njëri prej përgjegjësve për tragjedinë e Gërdecit.

***

Megjithëse historia e tregtisë së dyshimtë të fishekëve nga Shqipëria drejt Afganistanit gëlonte prej disa muajsh në qarqet politike, Kosta Trebicka u bë personazh publik vetëm pas tragjedisë së rëndë të Gërdecit. Në vitin 2007, ai është kontraktuar nga kompania amerikane AEY, e cila drejtohej nga 22-vjeçari Efraim Diveroli për të bërë paketimin e municionit. Por gjatë fazës së parë të punës, Trebicka mësoi se futja në skenë e kompanisë "EVDIN" me administrator Henri Tomein kishte shkaktuar dyfishin e çmimit, fakt të cilin ia bën me dije Diverolit. Pas këtij momenti, Trebicka është shmangur nga zbatimi i kontratës, proces pune të cilën MEICO "ia dhuroi" Delijorgjit, duke bindur edhe pronarin e AEY-së. Historia bëhet edhe më e rëndë, kur Diveroli vjen në Shqipëri për të negociuar një çmim të dytë e kur në një takim të fshehtë me Pinarin, Delijorgjin dhe një djalë të moshës 27-30-vjeç. "Kjo punë ka shkuar shumë larg, tek djali i kryeministrit",-thotë Diveroli në bisedën e përgjuar nga Trebicka, duke i pohuar këtij të fundit se djalin e panjohur ia kishin prezantuar si Shkëlzen Berisha. Trebicka ka pohuar dje për hetuesit e Prokurorisë së Përgjithshme se MEICO kishte si qëllim të sabotonte furnizimin e AEY, pasi tregtia e skrapit ishte më fitimprurëse. Investigimi i gazetës prestigjoze, "Thë New York Times" nxorri në sipërfaqe një tjetër skandal me fishekët shqiptarë, një pjesë e të cilëve ishin shumë të vjetër dhe jashtë standardit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›