E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gjoba e fundit", tatimorët dënohen me 14 vjet burg

 

Gjykata vendos edhe 4.4 milionë lekë gjobë për të akuzuarit për korrupsion

TIRANË- Gjykata e Tiranës dha vendimin e parë ndaj të pandehurve të hetuar nga task-forca kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës, duke i dënuar me 14 vjet e 10 muaj burg dhe 4.4 milionë lekë gjobë shtatë ish-punonjësit e policisë tatimore në Tiranë. Paraditen e djeshme, togat e zeza të kësaj gjykate, pas dëgjimit të konkluzioneve të akuzës dhepretendimeve të mbrojtjes vendosën të deklarojnë fajtorë shtatë të pandehurit për akuzat e "korrupsionit pasiv" dhe "korrupsionit aktiv" në bashkëpunim. Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri Flamur Mallkuçi me detyrë ish-drejtori i Tatim-Taksave të kryeqytetit do të vuajë dënimin prej 3 vjetësh heqje lirie dhe 1.5 milionë lekë gjobë, i pandehuri Genci Murthi u dënua me 3 vjet burg dhe 1 milionë lekë gjobë; i pandehuri Dritan Metani u dënua me 3 vjet burg dhe 900 mijë lekë gjobë; i pandehuri Migen Katroshi u dënua me 2 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë; i pandehuri Arjan Pashaj u dënua nga gjykata me 2 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë; i pandehuri Aurel Cenolli u dënua me 1 vit burg. Të gjithë këta të pandehur u deklaruan fajtorë dhe u dënuan për veprat penale të "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" ndërsa ekonomisti i firmës private Klodian Myftari u dënua me 10 muaj burg, për veprën penale të "korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike". Sipas gjykatës, të pandehurit në katër raste kanë marrë ryshfete nga subjekte të ndryshme private, kundrejt mosvendosjes së gjobës ndaj tyre. Sipas gjykatës, në të shumtën e rasteve ata merrnin nga bizneset 2 mijë deri në 4 mijë euro, në formë gjobash kundrejt shkeljeve që gjenin gjatë inspektimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›