E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shota" e Haklajve dënohet me 25 vjet

 

Gjykata e Tiranës dënon Zylfie Haklajn për ekzekutimin e Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit, 6 vjet më parë

 

Të qënit grua shpëton nga burgimi i përjetshëm Zylfie Haklajn. Shpallet fajtore për vrasjen e dyfishtë

 

TIRANË- Të qënit grua e shpëton nga burgimi i përjetshëm vajzën e vogël të familjes Haklaj, Zylfien, e cila prej vitit 2002 ndodhet në arrati për dy vrasje dhe dy plagosje në qendër të Bajram Currit. Togat e zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, gati dy vjet pas fillimit të procesit gjyqësor vendosën dje të deklarojnë të pandehurën në mungesë, Zylfie Haklaj fajtore për akuzat e "vrasjes në rrethana cilësuese më shumë se një person" dhe "vrasjes në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë", ku si pasojë janë ekzekutuar dy persona dhe dy të tjerë janë plagosur, këtu e gjashtë vite më parë. Sipas vendimit të togave të zeza, e pandehura Zylfie Haklaj mesditën e 2 prillit të vitit 2002, për motive hasmërie ka vrarë me armë Rasim Lumneshin e Ilir Gosturanin dhe ka lënë të plagosur Izet Dushën e Hysen Biberajn. Për këto dy vrasje dhe dy plagosje, e pandehura Haklaj dënohet në mungesë me burgim të përjetshëm, por në bazë të legjislacionit shqiptar, që parashikon si dënim maksimal për gratë 25 vjet, ajo përfundimisht u dënua kaqnga gjykata.

***

Sipas vendimit të shpallur dje, atentati në mes të ditës, në një lokal në qendër të Bajram Currit ka ndodhur për motive hakmarrjeje, ku e pandehura ka shkrepur automatikun"kallashnikov" në drejtim të tavolinës ku po pinin kafe Rasim Lumneshi dhe Ilir Gosturani. Ndërkaq, vetëm pak javë më parë, prokurori i çështjes i ardhur nga Tropoja për fazën gjyqësore, kërkoi nga gjykata dënimin maksimal për vajzën e Haklajve, e cila u cilësua si "Shota" e familjes Haklaj, pasi mori gjakun e katër vëllezërve të saj të vrarë. Sipas konkluzioneve të prokurorit, këto pretendime janë faktuar gjatë fazës hetimore dhe gjyqësore, me sjelljen e provave materiale dhe dëgjimin e dëshmitarëve të ndryshëm në gjykatë. Ndërkaq, avokati mbrojtës i të pandehurës në mungesë kërkoi nga gjykata deklarimin e pafajshëm të vajzës së Haklajve, pasi sipas tij, nuk është ajo autorja e vrasjes.

***

Sipas vendimit të gjykatës, vajza e vogël e familjes Haklaj mëngjesin e datës 2 prill të vitit 2002 ka dalë nga shtëpia ku banonte, e veshur me rroba të zeza dhe me një pallto të hedhur krahëve, ku poshtë saj mbante armën automatik "kallashnikov". Zylfie Haklaj ishte nisur në drejtim të lokalit ku kishte informacione se hasmi i familjes Haklaj, Rasim Lumneshi po pinte kafe. Sipas dëshmive, familja Haklaj dyshonte se familja Lumneshi kishte gisht në vrasjen e katër djemve të tyre, vëllezërve të Zylfe Haklajt, Halilin, Shkëlqimin, Fatmirin dhe Ylli Haklajn. Me t'iu afruar lokalit ku ndodhej Rasim Lumneshi ajo nxjerr armën dhe qëllon në drejtim të tij nga jashtë derës së lokalit, ku nga breshëria e armës mbetën të vrarë në vend, Rasim Lumneshi dhe Ilir Gosturani, ndërsa u plagosën rastësisht Izet Dusha e Hysen Biberaj. Pas vrasjes, me armë në dorë ajo është larguar nga vendi i ngjarjes për t'u arratisur. Dosja për gjykimin e të pandehurës Zylfie Haklajt fillimisht nisi në Tropojë, por për arsye sigurie dosja u transferua në Tiranë ku edhe u dënua.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›