Qeveria: Nuk do transportojmë rërën e Vlorës në Leçe
Lajmi se rëra e bregdetit të Vlorës do të transportohet drejt brigjeve të Leçes, nuk është i vërtetë. Kabineti i qeverisë “Berisha”, nëpërmjet një njoftimi për median, përgënjeshtron faktin se mes qeverisë dhe palës italiane ka një marrëveshje të tillë për transportin e rërës drejt Italisë. Zyra e shtypit pranë Kryeministrit ka bërë me dije dje se “lidhur me një trillim të ri të disa prej mediave të kontrolluara nga opozita, se qeveria shqiptare ka dhënë disponibilitetin e saj për të transportuar 200 mijë metër kub rërë nga bregdeti i Vlorës në Itali, për të riparuar plazhin e San Cataldos në Leçe, thekson se ky është një mashtrim i mirëfilltë”. Nga ana tjetër, pranë qeverisë shqiptare s’ka mbërritur ndonjë kërkesë për transportin e rërës. “Qeveria shqiptare nuk ka marrë asnjë kërkesë të kësaj natyre nga autoritete të vendit fqinj. Të gjitha pretendimet e shprehura sot nga një pjesë e medias së shkruar mbi këtë çështje, janë të pavërteta”, - thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të qeverisë.