NATO “sulmon” BE-në

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen paralajmëroi në Konferencën për siguri në Munih rrezikun e përçarjes së aleancës dhe bëri me dije se kriza financiare nuk guxon të shndërrohet në krizë sigurie.
“Nëse Evropa nuk është më në gjendje të jap kontributin e saj të matur, SHBA mund të orientohen në gjetjen e partnerëve diku larg”, kanë transmetuar mediat gjermane paralajmërimin e kreut të NATO-s.
Rasmussen trazirat aktuale në Egjipt, Tunizi dhe Lindjen e Mesme i ka vlerësuar si lëvizje tektonike dhe se sipas tij, në këtë kuadër nuk është problematike vetëm ekonomia botërore, por edhe rendi botëror.
Ai ka shtuar se nuk e ka të qartë se si do të përfundojnë këto trazira dhe cilat do të jenë pasojat afatgjate që do të pasqyrohen në botë.
Kreu i NATO-s i bëri thirrje vendeve anëtare evropiane të aleancës që të shtojnë angazhimin e tyre në politikat e mbrojtjes, kur bëhet fjalë edhe për aspektin financiar.
Lidhur me zvogëlimin e buxhetit ushtarak nga vendet e BE-së që janë anëtare të NATO-s, Rasmussen tërhoqi vërejtjen se Evropa po rrezikon të largohet edhe më shumë nga SHBA-ja.
Në konferencën e Munihut po marrin pjesë rreth 350 shefa të shteteve dhe qeverive, ministra dhe ekspertë nga e gjithë bota.
Tema e konferencës ka të bëjë me situatën në Egjipt dhe vendet arabe, sfidat e reja në planin e krizës ndërkombëtare financiare e cila ndikon në krizën e sigurisë si dhe çështja e luftës kibernetike.