E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO/ Kuvendi “po” paketës së anëtarësimit

27/03/2009  Kryeministri e cilëson si ditën më solemne që pas shpalljes së pavarësisë më 1912

Leskaj: Ofruam një opozitë të orientuar nga interesat e vendit, një opozite ofruese

Parlamenti shqiptar ka votuar dje me 108 vota pro paketën e anëtarësimit në NATO. Kryetarja e Parlamentit dhe kryeministri Berisha në fjalën e tyre, pasi e cilësuan ditën e tyre më të lumtur, falënderuan për mbështetjen të gjithë partnerët ndërkombëtarë. Ndërsa opozita theksoi rolin pozitiv të saj në proceset që ndihmuan anëtarësimin në strukturën euroatlantike, duke e vënë theksin te roli i saj në këta vjet si dhe hapat që ajo do të ndërmarrë në vijim.

Qeveria

Për Kryeministrin Berisha akti më sublim i gjithë historisë sonë kombëtare që pas shpalljes së pavarësisë ka qenë dita e djeshme. Ai e cilësoi atë një ditë të ëndërruar prej 18 vjetësh dhe që u realizuan me kontributin e qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë të ish-presidentit të SHBA-ve Xhorxh W. Bush. “Para së gjithash kjo është një ditë për t’i shprehur mirënjohjen më të madhe ndaj gjithë shqiptarëve, të cilët sakrifikuan për liri dhe dinjitet, çfarë ata kishin më të shtrenjtë. Mirënjohje ndaj studentëve dhe të atyre qytetarëve dhe zyrtarëve shqiptarë që gjatë këtyre viteve kontribuan në këtë proces me afrimin progresiv të Shqipërisë në NATO. Por sot mirënjohja më e veçantë u takon miqve të Shqipërisë, ndihma dhe solidariteti i të cilëve ka qenë përcaktues në suksesin e rrugës sonë”, - theksoi numri një i qeverisë. Në shpërblim të gjithë atyre që kontribuan në këtë proces kreu i ekzekutivit bëri edhe zotimet e rastit. “Ndodhem këtu për t’u zotuar solemnisht se do të bëjë çdo përpjekje që këtë besim të madh, të paprecedentë në historinë e kombit tim, nga kombet e qytetëruara ta shndërroj në vlera të mëdha, ta shndërroj në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, në aftësimin e saj për të qëndruar krah për krah vendeve aleate në katër anët e planetit, ku të jetë e nevojshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”, - tha ai. Përpara se të mbyllte fjalimin e tij, si çdo eveniment me urimin “Zoti e bekoftë NATO-n, Aleancën e madhe të lirisë!”, Kryeministri një falënderim të veçantë u dërgoi edhe ushtarëve tanë kudo që ndodhen sot: në Afganistan, në Çad, në Bosnjë-Hercegovinë apo në Gjeorgji.

Opozita

Kryetarja e grupit të deputetëve të PS-së Valentina Leskaj që në fillim të fjalës së saj e vuri theksin te krenaria që përfaqësues të PS-së në Parlament ndiejnë për kontributin që kanë dhënë në këtë proces. Ajo e ka nisur historikun që nga 1997-a e deri te konsensusi i afruar nga opozita për miratimin e reformës zgjedhore dhe të reformës në drejtësi. “Për herë të parë në Shqipëri një opozitë bëhet kontribuese direkt e procesit, si nismëtare e rezolutës për anëtarësimin e vendit në NATO dhe në vijim me angazhimin në reforma. PS-ja luajti një rol iniciues në dy reformat që kushtëzuan marrjen e ftesës për në NATO: reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi. Kjo qasje e re e një opozite të orientuar nga interesat e vendit, të një opozite jo refuzuese, por ofruese, madje udhëheqëse e proceseve për reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi, përveç një rekordi pozitiv për anëtarësimin krijoi një klimë të re politike në Parlament dhe përgjithësisht në vend, e vlerësuar nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë”, - tha ajo.

Astrit Patozi

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi tha gjatë fjalës së tij në Kuvend se hyrja e Shqipërisë në NATO është rezultat i reformave të thella të ndërmarra nga maxhoranca në të gjitha fushat. “Reformat e thella të ndërmarra nga qeveria gjatë katër vjetve të fundit mundësuan marrjen e ftesës për anëtarësim, përmes ratifikimit të shpejtë nga 26 vendet aleate të protokollit të NATO-s”, - tha ai. Po ashtu, ndonëse lëshoi një kritikë në adresë të kundërshtarëve, që sipas tij kishin dashur ta zbehnin disi këtë ditë të rëndësishme, kreu i kuvendorëve të selisë blu vlerësoi kontributin e opozitës në këtë proces dhe veçanërisht në përmbushjen e reformave në drejtësi dhe reformës zgjedhore.

Pëllumb Xhufi

Ditë shumë të rëndësishme e ka cilësuar edhe kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, ditën e djeshme, duke kujtuar edhe 10-vjetorin e sulmeve të NATO në mbrojtje të kosovarëve. Në fjalën e tij zuri vend një listë e gjatë falënderimesh, që nga Forcat e Armatosura e deri te qeveria “Berisha” dhe Kryetarja e Kuvendit Topalli. “Në emër të grupit falënderoj partnerët ndërkombëtarë; Forcat tona të Armatosura, që iu nënshtruan reformave të dhimbshme; kryeministrin Berisha dhe anëtarët e kabinetit, që u rastisi të kryesojnë vendin në ditë të tilla; Kryetaren e Kuvendit e mbi të gjitha qytetarët shqiptarë, që u qëndruan të gjitha reformave dhe përpjekjeve”, - tha ai.

Paralajmërimi

PS: Do të përshkallëzojmë kundërshtitë për letërnjoftimet

Partia Socialiste përmes kryetares së grupit kuvendor tha se anëtarësimi në NATO, ashtu si dhe ai në BE, është një mundësi e jashtëzakonshme, por edhe një sfidë e përgjegjësi e madhe për vendin. Duke nënvizuar se zgjedhjet e ardhshme të 28 qershorit, që vijnë menjëherë pas samitit të Strasburgut, janë prova e parë e seriozitetit të qeverisë shqiptare, Leskaj paralajmëroi qëndrime të reja të opozitës për kartat e identitetit. “Për shkak të situatës së krijuar me përgatitjet për zgjedhje, më duhet të them se Parlamenti, duke filluar nga e hëna e ardhshme, duhet të përballet me kërkesën e opozitës për letërnjoftimet, në rast të kundërt opozita do të përshkallëzojë kundërshtinë e saj.

Ajo u shpreh gjithashtu se “këtë radhë askush nuk mund të na e heqë të drejtën e zgjedhjeve të lira e të ndershme me karta të blera për të varfrit, nga “Fazlliçët e Kryeministrit” apo të falsifikuara në skutat e Ballkanit”. Zgjedhjet për Leskajn nuk janë e vetmja sfidë. Ajo përmendi edhe luftën kundër korrupsionit dhe marrëdhëniet e pushtetit qendror me institucionet e pavarura. “Natyrisht, zgjedhjet janë më imediatet, por jo e vetmja sfidë. Sfida ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, sundimi i ligjit, raportet me institucionet e pavarura mbeten sfida jonë afatgjatë”, - vijoi socialistja. Në fund Leskaj rikonfirmoi në emër të grupit parlamentar të PS-ja angazhimin serioz me ardhjen në qeverisje pas zgjedhjeve të 28 qershorit për reforma të thella e të qëndrueshme, që Shqipëria të jetë në nivelin dhe dinjitetin e përgjegjësive që ka një vend anëtar i NATO-s.

Presidenti dekreton paketën për aderimin e Shqipërisë në NATO

Presidenti i Republikës Bamir Topi dekretoi dje shpalljen dhe hyrjen në fuqi menjëherë të ligjeve që u miratuan gjatë seancës së djeshme në kuadër të procesit të integrimit në strukturat euroatlantike. Kreu i shtetit përmes një mesazhi të shpërndarë nga zyra e Presidencës përshëndeti deputetët e Kuvendit për miratimin unanim të këtyre ligjeve dhe uroi gjithë qytetarët shqiptarë për realizimin e kësaj ëndrre integruese, si një arritje historike për vendin tonë, e cila u realizua edhe nëpërmjet vullnetit të partnerëve tanë euroatlantikë. Paketa përbëhet nga ligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut”, ligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut, për statusin e forcave të tyre”, ligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen për statusin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, të përfaqësuesve kombëtarë dhe personelit ndërkombëtar”, ligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen për statusin e misioneve dhe të përfaqësuesve të shteteve të treta në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut”, ligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për statusin e shtabeve ushtarake ndërkombëtare, të ngritura në përputhje me Traktatin e Atlantikut të Veriut”.

Fialkova: Aplikoni gjatë presidencës Çeke

Ambasadorja e Republikës së Çekisë në Tiranë Marketa Fialkova deklaroi nga qyteti i Vlorës se Shqipëria duhet të aplikojë për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian brenda presidencës çeke. Ajo ishte pjesëmarrëse gjatë një bashkëbisedimi me studentë dhe pedagogë të universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”. Duke iu përgjigjur interesimit të pjesëmarrësve ajo theksoi gjithashtu se Çekia mbështet politikën e zgjerimit të BE-së si dhe Shqipërinë në hapat e mëtejshme në procesin e integrimit. Fialkova vlerësoi gjithashtu përpjekjet e qeverisë shqiptare në këtë drejtim, duke shtuar se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektiva e tyre evropiane përbëjnë një nga prioritetet e Çekisë në presidencën e saj.

Dh. Spiro

Ceremoni

Trëndafila blu për deputetët

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli me rastin e miratimit të paketës për anëtarësimin e vendit në NATo nga Parlamenti i Shqipërisë ishte kujdesur t’u dhuronte të gjithë deputetëve nga një trëndafil. Një koecidencë e mirë për shkak të ngjyrës së flamurit të PD-së të njëjtë me atë të flamurit të aleancës. Të 140 deputetë dhe kabineti qeveritar kishin në tavolinat e tyre nga një trëndafil blu. Bashkëngjitur kërcellit të tij, si një ide shumë origjinale, valëvitej në formë flamuri një kartolinë me flamurin e NATO-s nga njëra anë dhe në anën tjetër slogani “Unë në NATO”. Edhe dekori që mbështillte tribunën e deputetëve, të panelit të qeverisë dhe të Topallit ishte veshur gjithashtu me flamurin e NATO-s.

Topalli-Komorovski

Polonia pro zgjerimit të BE-së

Kryetari i Parlamentit të Polonisë Bronislav Komorovski ka deklaruar pas takimit që zhvilloi dje me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli se Polonia është pro zgjerimit të BE-së dhe NATO-s. Duke hequr vija paralele mes historikut të Polonisë dhe atij të Shqipërisë, ai tha se vendi i tij është i vetëdijshme për sakrificat që Shqipëria ka bërë për të arritur deri këtu. “Ne ishim në grupin e vendeve të para që hynë në strukturat e reja të NATO-s dhe të BE-së, por jemi të vetëdijshëm edhe për sakrificat që kemi bërë dhe për rrugën e vështirë që kemi kaluar për të arritur deri këtu, prandaj nuk duam t’i mbyllim dyert e zgjerimit të mëtejshëm të këtyre strukturave. Përkundrazi, Polonia është plotësisht e vendosur për këtë zgjerim të BE-së dhe të NATO-s”, - tha ai. Komorovski ka deklaruar se Parlamenti polak do ta miratojë në çdo kohë kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendin kandidat në BE. Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk i është përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë interesimit të gazetarëve lidhur me sugjerimin e komisionerit për zgjerim Olli Rehn, sipas të cilit Shqipëria duhet të aplikojë për statusin e kandidatit pas zgjedhjeve. Në përgjigje ajo përmendi sfidat që e presin Shqipërinë për anëtarësimin në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›