NATO, Oketa ngre flamurin e Shqipërisë në SHBA
Në Amerikën e Veriut ngrihen flamujt e Shqipërisë dhe Kroacisë. Në Komandën e Aleancës për Transformim, në Norfolk të shtetit Virxhinia, u zhvillua një ceremoni ku Shqipëria u përfaqësua nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Në sheshin përpara ndërtesës kryesore të Komandës, flamurëve të shteteve të tjera iu shtuan dje edhe ata të Shqipërisë dhe Kroacisë, dy anëtarëve më të rinj të Aleancës. Ministri i mbrojtjes, Gazmend Oketa, përfaqësoi Shqipërinë në ceremoni. Sipas z. Oketa, ky është realizimi i të gjitha përpjekjeve dhe reformave të qeveritë shqiptare, që Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë ndërmarrë në vite. “Është një arritje e bukur që meriton falënderime për të gjitha vendet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, të cilat kanë mbështetur Shqipërinë dhe Kroacinë në rrugën drejt anëtarësimit në NATO”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, z. Gazmend Oketa. Ai vuri në dukje se e gjithë klasa politike shqiptare e sheh këtë anëtarësim jo thjesht si përfitim, por edhe si një burim detyrimesh. “Shqipëria, - tha ai, - është e përgatitur të vazhdojë me të njëjtën vendosmëri për realizimin e këtyre detyrimeve”. Komanda e Aleancës për Transformim është komanda e vetme e NATO-s në Amerikën Veriore. Ajo drejton procesin e transformimit të Aleancës përmes zhvillimit të koncepteve të reja dhe eksperimenteve ushtarake. Kreu i Komandës së Aleancës për Transformim, gjenerali James Matis, bëri të ditur se Shqipëria dhe Kroacia bënë shumë përgatitje për t’u pranuar në NATO.