PD, strategji për t’i marre votat e të rinjve
PD-ja synon që 300 mijë votat e të rinjve në mbarë vendin të shkojnë për siglën e saj. Puna më e madhe e demokratëve është përqendruar tek 100 mijë të rinjtë që më 28 qershor votojnë për herë të parë. Për këtë po përgatitet një strategji e veçantë, e cila do t’i bashkëngjitet programit të përgjithshëm elektoral dhe që do prezantohet nga lideri demokrat, Sali Berisha, në kongresin e PD-së me datën 18 maj. Përveç premtimeve elektorale, të cilat përbëjnë dhe shtyllën e këtij programi, lidershipi i PD-së, së bashku me Forumin Rinor të kësaj partie, do të nisin takimet bashkëbiseduese me grupe të rinjsh në mbarë vendin. Përpara tyre, demokratët do të shkojnë me projekte të qartë, pjesa më e madhe e të cilave janë vazhdimësi e projekteve të nisura gjatë këtij mandati përmbyllës të qeverisë “Berisha”. Fushata e PD-së me të rinjtë shqiptarë do t’i ngjajë modelit të Presidentit amerikan, Barack Obama, ku nuk do të mungojnë as të trokiturat në dyert e brezit të ri, për t’u siguruar atyre një të ardhme të sigurt evropiane, sepse mosha e internetit i përket Partisë Demokratike. Jo vetëm Forumi Rinor do të jetë i angazhuar në këtë fushatë që për PD-në konsiderohet po aq e rëndësishme sa ajo për mbarë qytetarët shqiptarë. I gjithë lidershipi i partisë në pushtet përgjatë fushatës elektorale do të ketë një axhendë të përcaktuar vetëm me takimet me të rinjtë shqiptarë, deri dhe në komunat më të thella të Shqipërisë. Gjatë turit “Shqipëria po ndryshon” Kryeministri Sali Berisha ka zbardhur disa nga premtimet elektorale të PD-së përgjatë mandatit të dytë qeverisës. Ai ka premtuar se mandatin e dytë do t’ia kushtojë rinisë shqiptare për një të ardhme më të mirë dhe shkollim në kushte shumë herë më të mira se ato të deritanishmet, duke u hapur më shumë shtigje dhe horizonte të reja. Një tjetër premtim i qeverisjes së djathtë është punësimi i të rinjve. Sipas Berishës, në arritjen e objektivave për punësimin ndihmojnë shumë edhe investimet që po kryhen në gjithë vendin. Dhe kjo, derisa një i ri i vetëm të
ketë nevojë për punë në Shqipëri. Të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së janë duke punuar për ditë me bashkëmoshatarët e tyre në gjithë vendin për një fitore të re më 28 qershor, sepse e ardhmja e tyre i përket integrimit evropian dhe lëvizjes së lirë pa viza në zonën “Shengen”. Do të jenë pikërisht këta të rinj, të cilët do të mund të shkollohen në Perëndim dhe të kthehen me dijet e tyre në vendin e lindjes për të ndërtuar pikërisht të ardhmen vetëm në Shqipëri. Është pikërisht forca politike e PD-së që ua mundëson një gjë të tillë, ndaj ajo kërkon votat e rinisë shqiptare për një Shqipëri ndryshe, larg krimit dhe korrupsionit, si pjesë e familjes evropiane.