Raporti hetimor “Rama” në Kuvend
Konkluzionet e komisionit hetimor për veprimtarinë e dhënies së lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës do të votohen në Kuvend, pavarësisht vendimit që mund të marrë Gjykata Kushtetuese. Në ditët në vijim është parashikuar një mbledhje e seancës së Kuvendit, ku do të votohet ky raport, i cili më pas do t’i kalojë organit të Prokurorisë. Kryetari i këtij komisioni, Ferdinand Xhaferri, tha dje se veprimtaria e këtij komisioni është parashikuar në ligj dhe pavarësisht vendimeve të Kushtetueses, ai do t’i kalojë Kuvendit. “Kushtetuesja mund t’i japë të drejtë komisionit, mund t’i japë të drejtë kryetarit të bashkisë. Kjo nuk ka asnjë vlerë. Ajo që ka ndodhur me paratë publike të këtij vendi dhe me mënyrën e lejes së ndërtimit, ky është fakti që mbetet”, - tha Xhaferri. I pyetur nga media lidhur me afatet e paraqitjes në Kuvend të raportit të komisionit hetimor, kryetari Xhaferri tha se sipas Kushtetutës, Parlamenti ka të drejtë t'i vazhdojë punimet deri më 29 maj, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.