E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e çmimit, Rama: Protestë për energjinë

Kryetari i PS-së, Edi Rama, denoncoi dje faturat e papërballueshme të energjisë elektrike për qytetarët


TIRANË - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se ndaj qytetarëve shqiptarë po abuzohet me çmimin e energjisë elektrike. Në një konferencë për shtyp, kreu i opozitës, Rama, vuri në dukje se Operatori i Sistemit të Shpërndarjes po abuzon ndaj familjeve shqiptare, duke u vendosur atyre një faturim abuziv dhe jo sipas kostos reale të konsumimit të energjisë.


"Shërbimi mizerabël, me faturim abuziv të kilovatëve të energjisë, shpesh aforfe dhe larg çdo transparence, në shkelje flagrante të së drejtës elementare të çdo familjeje shqiptare për të mos paguar çfarë nuk konsumon, po paguhet sot duke u marrë njerëzve lekë jo vetëm më shumë, po edhe në mënyrë të paligjshme!", - tha dje Rama.


Sipas tij, qeveria shqiptare, e cila ka 25 për qind të pjesës së pronësisë mbi OSSH-në hesht përballë këtij fenomeni. Ai evidentoi faktin se shqiptarët kanë paguar energjinë e muajit janar të këtij viti në mënyrë aforfe dhe në një kosto shumë më të lartë sesa mund të grumbullojë harxhimi i energjisë përgjatë gjithë këtij muaji.


"Shqiptarët po paguajnë energjinë e janarit edhe aforfe, edhe më shtrenjtë, edhe më shumë se sa 31 ditët e janarit. Sqaroj se pronësia në kompaninë OSSH dhe pas privatizimit është 75% CEZ dhe 25 % qeveria e Sali Berishës.


Sali Berisha hesht edhe pse qeveria ka 25 % të aksioneve të kompanisë, që u faturon shqiptarëve edhe më shumë lekë se sa ç'parashikon rritja skandaloze e çmimit të energjisë",- u shpreh ai. Abuzimin me çmimin e energjisë elektrike, Rama nuk la pa e lidhur me çështjen e hapjes së kutive të votimit të zgjedhjeve të Qershorit.


Sipas Ramës, shqiptarët nuk duhet të paguajnë koston e grabitjes së zgjedhjeve përmes faturës së energjisë, ujit apo ushqimeve. "Por, ne nuk kemi ndërmend ta paguajmë koston e grabitjes së zgjedhjeve në faturën e energjisë, të ujit, të ushqimeve, të ilaçeve e me radhë.


Ne do të protestojmë për këtë kosto pa u ndalur dhe pa u zmbrapsur", - nënvizoi Rama. Ai shtoi se çdo shqiptar që nuk pranon keqqeverisjen që sipas tij buron nga zgjedhjet e manipuluara të Qershorit, duhet të protestojë ndaj fenomeneve të tilla siç është edhe abuzimi me çmimin e energjisë elektrike.


*********************


Bihet dakord për procedurën, por jo për përmbajtjen. PS e PD nuk bien dakord për kutitë

Nismat e PS-së, në Kuvend me 18 mars


TIRANË - Shumica dhe opozita kanë gjetur dje në konferencën e kryetarëve një konsensus të pjesshëm për sa i përket shqyrtimit të projektligjit për amendimin e ligjit për hetimin parlamentar, si dhe për ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, por që nuk prek thelbin e problemit.


Palët kanë mundur të gjejnë gjuhën e përbashkët vetëm për datën 18 mars kur edhe do të diskutohen këto dy çështje në seancë plenare, por nuk kanë rënë dakord për përmbajtjen e tyre. Ky ka qenë me pak fjalë thelbi i vendimmarrjes së konferencës së kryetarëve ku për herë të parë ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i opozitës, Gramoz Ruçi, i sapozgjedhur në postin e kryetarit të grupit parlamentar socialist.


Mbledhja


Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, konferenca e kryetarëve ka mbajtur mbledhjen e saj jashtë radhe për të diskutuar pikërisht dy kërkesat e paraqitura nga socialistët gjatë javës së shkuar.


Mbledhja ka nisur me një shtrëngim duarsh mes kryetarit të grupit socialist, Gramoz Ruçi, dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërsa kjo e fundit nuk ka nguruar të urojë përfaqësuesin socialist edhe për zgjedhjen në krye të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.


Më pas, mbledhja ka vijuar pa praninë e gazetarëve dhe për më shumë se dy orë shumica dhe opozita e përfaqësuar në këtë strukturë kanë debatuar gjatë mbi dy pikat që ishin në rend të ditës.


Mësohet se kreu i grupit socialist ka kërkuar që në nisje që fillimisht të miratohet projektligji për ndryshimin e ligjit të komisioneve hetimore dhe më pas parlamenti të procedonte me ngritjen e tij.


Kjo është kundërshtuar nga demokratët të cilët mësohet t'i jenë përmbajtur qëndrimit se për sa kohë dy kërkesat kanë ardhur bashkë ato duhet të diskutoheshin si të tilla. Gjithashtu, ata kanë parë këtë qëndrim të socialistëve si tërheqje nga pozicioni i mëparshëm për ngritjen më parë të komisionit hetimor.


Por, ndërsa për këtë çështje duket se është mundur të gjendej një konsensus për ti diskutuar të dyja kërkesat e socialistëve në datën 18 mars, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për përmbajtjen e tyre.

Kështu mësohet se mazhoranca nuk ka pranuar që të miratojë një projektligj, si dhe të ngrejë një komision hetimor që, sipas saj, bie ndesh me parimet kushtetuese dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.


Deklaratat


Një fakt të tillë e kanë bërë publik krerët e dy grupeve më të mëdha parlamentare, Ruçi dhe Patozi, gjatë komunikimit me median.


Kështu Ruçi, ndërsa ka konfirmuar datën 18 mars si ditën kur edhe do diskutohen dy projektligjet, ka akuzuar shumicën qeverisëse për mungesë vullneti për t'i miratuar dy kërkesat e socialistëve.


"Për fat të keq nuk lexuam, nuk pamë, nuk dëgjuam ndonjë preokupim për ndryshim të vullnetit politik të mazhorancës, përkundrazi, u ndeshëm me pretendime procedurale të cilat zgjatën deri në këtë orë dhe përfundimisht u ra dakord që në datë 18 do të diskutohen të dyja nismat, si nisma për amendimin e ligjit organik për komisionet hetimore, ashtu edhe nisma për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar", - tha Ruçi.


Ndërsa Patozi ka bërë të ditur se palët gjetën mirëkuptimin për datën e diskutimit, por jo për përmbajtjen e dy propozimeve të depozituara prej socialistëve.


"Sigurisht që nuk mund të kishte konsensus për sa i përket përmbajtjes së tyre, pasi ne mendojmë se gjithçka duhet të jetë korrekt dhe kompatibël me Kushtetutën e vendit me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjet e tjera të vendit", - tha Patozi, i cili ka paralajmëruar edhe negociata mes palëve për t'i sjellë dy kërkesat e PS-së në kushtet optimale për ty pranuar nga të dyja krahët.


Mësohet se edhe vendimi për t'i diskutuar ato në seancën e tretë të këtij muaj është marrë pikërisht për t'i lënë kohë palëve që të gjejnë paraprakisht një konsensus për përmbajtjen e tyre.

************************

Ruçi: PD nuk ka vullnet për të zgjidhur krizën

TIRANË - Menjëherë pasi ka dalë nga mbledhja e konferencës së kryetarëve, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ka akuzuar mazhorancën për mungesë vullneti për të miratuar në parlament dy propozimet e paraqitura prej socialistëve si mundësia e vetme për të dalë nga kriza politike.


Duke folur për gazetarët, Ruçi ka theksuar se përfaqësuesit e shumicës u morën më shumë me çështje procedurale, duke mos shfaqur vullnet politik për të miratuar dy kërkesat e PS-së.


"Pavarësisht se çfarë u diskutua brenda, kjo më shumë se çështje procedurash është çështje e një vullneti politik për të shpalosur gjithë përgjegjësinë dhe seriozitetin tonë politik dhe organizativ. Ne sot ishim të pranishëm në tryezën e konferencës së kryetarëve, për të diskutuar rreth procedurave.


Për fat të keq nuk lexuam, nuk pamë, nuk dëgjuam ndonjë preokupim për ndryshim të vullnetit politik të mazhorancës, përkundrazi, u ndeshëm me pretendime procedurale të cilat zgjatën deri në këtë orë dhe përfundimisht u ra dakord që në datë 18 do të diskutohen të dyja nismat, si nisma për amendimin e ligjit organik për komisionet hetimore, ashtu edhe nisma për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar.


Sigurisht, aty do të shpaloset edhe vullneti politik i palëve, edhe instrumenti i votës së minorancës dhe mazhorancës", - tha Ruçi, duke kërkuar nga mediat që të mos paragjykojnë finalizimin e këtij procesi, ndërsa nuk ka bërë të ditur nëse deputetët socialistë do të rikthehen në parlament në seancën e radhës.


Nismat, Patozi: Nuk ramë dakord për përmbajtjen


TIRANË - Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, duke sqaruar qëndrimin e mbajtur në mbledhjen e konferencës së kryetarëve ka bërë të ditur se mazhoranca nuk mund të pranojë nisma qofshin këto ligjore ose jo që bien ndesh me Kushtetutën dhe vendimet e gjykatave, duke paralajmëruar në këtë mënyrë qëndrimin kundër të shumicës sa i përket kërkesës për hapjen e kutive. "Konferenca arriti konsensus për sa i përket procedurave të trajtimit të dy nismave të PS-së.


Në fakt pas disa diskutimeve të gjata ne mbetëm pak të befasuar nga kërkesa e zoti Ruçi, i cili kërkonte që nisma e tyre për ngritjen e komisionit hetimor të trajtohej pas shqyrtimit të projektligjit për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore gjë që shkaktoi pak habi sepse ne e kemi konsideruar si kauzën më të rëndësishme të PS-së në këto 6 muajt e fundit, e cila sigurisht mbështetet dhe në legjislacionin në fuqi ku përfshihet dhe ligji për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore.


Por nëse ramë dakord që të dy nismat ligjore të trajtohen pas dy javësh në seancë plenare sigurisht që nuk mund të kishte konsensus përsa i përket përmbajtjes së tyre pasi ne mendojmë se gjithçka duhet të jetë korrekt dhe kompatibël me Kushtetutën e vendit me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjet e tjera të vendit", - tha Patozi, ndërsa ka bërë të ditur që gjatë mbledhjes kishte ftuar Ruçin që të uleshin për gjetur një zgjidhje të pranueshme, për sa i përket dy propozimeve të socialistëve.

********************

Grupi parlamentar i PS-së zgjodhi dje me 55 vota pro Gramoz Ruçin kryetar

Ruçi kryetar grupi, mungon LMN dhe Majko

TIRANË- Gramoz Ruçi është zgjedhur me votë unanime nga të gjithë deputetët socialistë si kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Me 55 vota pro, duke përfshirë edhe votën e vet, Ruçit i është dhënë besimi për të drejtuar deputetët socialistë në një sfidë të vështirë parlamentare, ku natyrisht beteja kryesore do të jetë ajo për hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit. Para se të kalonte në proces votimi, partia Socialiste ka mbledhur kryesinë e saj, e cila me propozim të kryetarit Edi Rama ka vendosur t'i propozojë grupit të saj parlamentar emrin e Rucit për drejtues të tij.


Më pas është thirrur mbledhja e grupit ku ka rënë në sy mungesa e katër deputetëve të njohur si përfaqësues të Lëvizjes për mendim ndryshe (LMN) Ben Blushi, Kastriot Islami, Marko Bello dhe Andis Harasani, si dhe të katër deputetëve të tjerë socialistë midis të cilëve edhe Pandeli Majko. Në zgjedhjen e kreut të grupit ka marrë pjesë edhe deputeti i Vlorës Arben Isaraj, i cili ishte kthyer nga Italia ku dhe është kuruar për një kohë të gjatë.


Diskutimet në grup kanë zgjatur fare pak minuta, aq sa është miratuar propozimi që zgjedhja e kryetarit të grupit të bëhej me votë të fshehtë, si mjeti më demokratik për shprehjen e vullnetit.


Më pas është vijuar me procedurën e votimit, për drejtimin e të cilit është ngritur edhe një komision zgjedhor, i drejtuar nga deputeti Eltar Deda dhe me përbërjen e Taulant Ballës dhe Ermonela Felajt.


Pas numërimit të votave, komisioni ka shpallur Ruçin si kryetar të grupit i votuar në mënyrë unanime. Rezultati është bërë i ditur pas mbledhjes nga kreu i komisionit Eltar Deda, i cili në një konferencë për shtyp është shprehur se Gramoz Ruçi është njeriu që do drejtojë deputetët socialistë në këtë legjislaturë.


"Grupi parlamentar i Partisë Socialiste zgjodhi përmes votimit të fshehtë edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar. Në mënyrë unanime, me 55 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, grupi parlamentar i Partisë Socialiste zgjodhi zotin Gramoz Ruçi Kryetar", - tha Deda.


Gjithashtu ai ka bërë të ditur se grupi diskutoi edhe për qëndrimin e Partisë Socialiste mbi projektligjin e dorëzuar në Parlamentin e Shqipërisë për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin numër 8891 i datës 05/02/2002 për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit dhe projektvendimin për ngritjen e Komisionit Hetimor pa bërë të ditur përmbajtjen e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›