NATO, Shqipëria tri medalje për Turqinë, Italinë, Greqinë
Tre ish-ambasadorë të NATO-s në Tiranë morën dje medaljen e mirënjohjes nga Presidenti Bamir Topi. Dorëzimi i medaljeve u bë në godinën presidenciale për ambasadorin e Turqisë, Taxhan Ildem, ambasadorin e Italisë, Stefano Stefanini, dhe atë të Greqisë, Teri Trasivulos Stamatopulos, me motivacionin “Për kontribute të veçanta në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”. Në ceremoninë zyrtare ishin të pranishëm ambasadori turk në vendin tonë, Hasan Sevilir Asan, ambasadori italian, Saba d’Elia dhe ambasadori grek, Nikolas Pazios. Kreu i shtetit shqiptar, si dhe njëkohësisht komandanti i Forcave të Armatosura, theksoi se “ne kemi pasur gjithashtu një ndihmë të jashtëzakonshme edhe nga vendet fqinje, Greqia, Italia dhe Turqia, të cilat i falënderojmë në një mënyrë të veçantë. Patjetër që një rol dhe ndihmë e jashtëzakonshme në të gjithë këtë proces, i cili natyrisht që kishte edhe vështirësitë e veta, na është dhënë edhe nga tre ambasadorët që janë këtu sot”. Kreu i shtetit nuk la pa përmendur edhe ndihmën që këto tri shtete ofruan për Shqipërinë për zonat veriore të prekura nga përmbytja gjatë muajit dhjetor.