Presidenti përshëndet zgjedhjet në Kosovë
Zgjedhjet në Kosovë morën “bekimin” edhe nga Presidenti Bamir Topi. Gjatë fjalës së tij në diplomimin e studentëve të brezit të katërt të shkollës politike në Tiranë, kreu i shtetit përshëndeti edhe zgjedhjet e 12 dhjetorit. “Kosova është një shtet i ri, i pavarur, që ka ndryshuar gjeopolitikën në rajonin tonë ballkanik”, tha Presidenti Topi. Në vlerësimin e tij për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 12 dhjetorit, Presidenti Topi përgëzoi edhe qytetarët serbë që morën pjesë në zgjedhje, duke kujtuar që “Kosova e veriut ende është nën influencën e dukshme të disa politikave që konsiderohen të vjetruara për Ballkanin tonë, i cili sot realisht jeton kohë të reja”. Mesazhi i Presidentit nuk ishte vetëm përshëndetës, por edhe inkurajues për ndërtimin e një shteti të konsoliduar multietnik në respekt të të gjitha të drejtave të popullsive të ndryshme që jetojnë në territorin e Kosovës. “Ne kemi kontribuar, kemi pasur, kemi dhe do të vazhdojmë të kemi një politikë shumë konstruktive në rajon. Ne dëshirojmë të ndërtojmë një marrëdhënie të një fqinjësie të mirë me vendet, patjetër edhe me Serbinë. Ne jemi takuar në takime multilaterale me të gjithë presidentët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Si Shqipëri kemi realizuar takime bilaterale me të gjithë. Shumë shpejt ne do të realizojmë dhe takime të nivelit të lartë edhe me funksionarët më të lartë të Serbisë për t’u dhënë një impuls të ri marrëdhënieve miqësore”, tha Presidenti Topi, duke shtuar se “dihet botërisht që disa gjëra na ndajnë në mënyrë të dukshme: pozicionet për sa i përket çështjes së Kosovës janë shumë larg, por kjo nuk duhet të na frenojë që të bashkëpunojmë për shumë çështje të tjera”.