Topi: Suksesi qëndron te të rinjtë në politikë
“Kur politika dinamizohet edhe nga elementët e rinj bëhet pjesë e një suksesi”. Në këtë mënyrë është shprehur Presidenti Bamir Topi duke paralelizuar zgjedhjet në Kosovë me të sapodiplomuarit e shkollës politike në Tiranë. Kreu i shtetit ka dhënë dje leksionet e fundit politike në prag të shpërndarjes së diplomës për studentët e rinj të shkollës së organizuar nga Këshilli i Europës.
Të rinjtë në politikëMesazhi i Presidentit Topi për të sapodiplomuarit e shkollës politike, ishte se e ardhmja e politikës është në duart e brezit të ri. “Ne që kemi më shumë eksperiencë në politikë, dhe eksperienca jonë është relative, sepse të gjithë janë nisur nga pozicionet e tyre profesionale, por buonsensi duhet të jetë prezent, duhet të jetë i jashtëzakonshëm nga cilido që ka më shumë eksperiencë në politikë për të krijuar hapësira për secilin prej jush. Jo për të krijuar hapësira nëpërmjet lidhjeve thjesht miqësore, por patjetër duhen vlerësuar më të mirët, sepse vetëm në këtë mënyrë ne do t’i japim politikës ngjyra të larmishme që i sjell mosha, i sjell dinamizmi, i sjell përgatitja”, tha kreu i shtetit, Bamir Topi.
Leksionet politikeKreu i shtetit tha dje se politika shqiptare në vite është motivuar përgjithësisht të bëjë debate të ashpra, debate të cilat në shumë raste diktohen edhe nga nervozizmi i politikës së ditës. “Kështu që politika shqiptare jam i bindur që sikurse e ka kontributin e jashtëzakonshëm të viteve të pluralizmit për shumë reforma që janë realizuar, për shumë arritje, ju progresin e shikoni. Dita e sotme është pjesë e atij progresi, të cilin ne e prekim dhe patjetër jemi kontribuues të gjithë, por ka edhe defektet e veta”, tha Presidenti Topi. Duke iu drejtuar të sapodiplomuarve, Presidenti lëshoi edhe një mesazh indirekt për politikën shqiptare. “Politika do të realizohet më shumë në rast se do të ketë më shumë etikë, më shumë profesionalizëm, më shumë motivim, më shumë argument dhe argumenti është me shumicë në të gjitha fushat”, tha ai. Sipas Presidentit, “kur dëshirojmë të dëgjojmë argumente ekonomike, dëshirojmë t’i dëgjojmë nga profesionistë apo nga politikanë, të cilët vijnë nga ato fusha, të japin kontributin e tyre real nëpërmjet pozicioneve shumë profesionale. Këtë e dëshirojmë të gjithë, e dëshirojmë për ekonominë, për çështjet sociale, për çështjet e politikës së jashtme”.
“E ardhmja” në NATOKreu i shtetit ka bërë me dije dje se tashmë Shqipëria është brenda një rajoni që i gjithi së bashku, jo vetëm politikisht, është i orientuar drejt Europës dhe NATO-s, por edhe si një rajon që ka një treg prej më shumë se 50 milionë banorë. “Vetëm dialogu politik, vetëm një klimë konstruktiviteti e bashkëpunimi për t’u hapur rrugë investimeve do të bëjë të mundur që popujt tanë të jetojnë në paqe, të jetojnë në qetësi, të arrijnë standardet që kanë edhe vendet e tjera të Europës dhe ky është një motivim i politikës së shtetit shqiptar që do të vazhdojë ta bëjë realitet”, tha Presidenti Topi.