E Shtunë, 31 Tetor 2026

BEDZ, dy marrëveshje për lëvizjen e lirë në rajon

Basha: Përpjekjet e përbashkëta, “ndal” krizave botërore

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, gjykon se përpjekjet e përbashkëta mund të parandalojnë kriza të rënda financiare. Ministri Basha kryesoi dje takimin e 19-të të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ), i cili nisi dje në hotel "Sheraton", në Tiranë, ku në hapje të tij mori pjesë dhe Kryeministri Sali Berisha. Takimi i djeshëm shënon dhe përfundimin e kryesisë shqiptare të BEDZ-it (maj-tetor 2008). Lidhur me këtë z. Basha vuri në dukje se "Shqipëria e realizoi kryesinë e saj në kushtet kur rajoni i zgjeruar i Detit të Zi po transformohet gjithnjë e më shumë në një zonë dinamike zhvillimi, me një peshë në rritje si në rrafshin gjeopolitik, ashtu edhe në atë gjeo-ekonomik". Duke renditur disa nga arritjet e presidencës shqiptare të BEDZ-it, ministri Basha u ndal në intensifikimin e marrëdhënieve mes BEDZ-it dhe BE-së apo partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, rritjen e bashkëpunimit sektorial dhe rritjen e efektivitetit të punës së organizatës.

Sipas tij, "reformimi i BEDZ-it mbetet një proces i hapur, që duhet të mbajë parasysh elementët e rinj që ofron zhvillimi rajonal, por edhe ai global". Në këtë drejtim, ai shprehu bindjen se BEDZ-i do t'i përgjigjet më me sukses kërkesave dhe sfidave të reja të bashkëpunimit rajonal.

Berisha: BERZ, kontribut për paqen në rajon

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje se "bashkëpunimi ekonomik mes vendeve anëtare të Detit të Zi është një kontribut për paqen dhe stabilitetin e këtij rajoni, si dhe një ndihmë për zgjidhjen e një problematike të trashëguar nga e kaluara". Berisha përshëndeti dje takimin e 19-të të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ). Duke vlerësuar se kombet dhe vendet anëtare të BEDZ-it janë të lidhura me mijëra fije, kreu i qeverisë u shpreh se "rajoni ku shtrihet ky bashkëpunim është një nga rajonet më të rëndësishme të botës, për vetë potencialet dhe shtrirjen e tij gjeografike, ku kryqëzohen rrugët më të rëndësishme të planetit".

"Projekte të mëdha që synojnë nxitjen e bashkëpunimit rajonal, kryesisht në infrastrukturë, tashmë janë vendosur. Rajoni është një rajon i rrugëve dhe korridoreve më të mëdha energjetike dhe të transportit dhe karakterizohet nga shkëmbime të mëdha tregtare. Të gjitha këto kanë stabilitetin dhe mirëkuptimin si kusht themelor për t’u bërë realitet”, - u shpreh Kryeministri Berisha.

Babaçan: Turqia ratifikon Shqipërinë në NATO

Turqia do të jetë një mbështetje e fortë e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe BE. Shumë shpejt shteti turk do të ratifikojë Protokollin e Anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO. Kjo iu bë dje e ditur nga ministri i Jashtëm i Turqisë, Ali Babaçan, Presidentit të Republikës, Bamir Topi, Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit tonë të Jashtëm, Lulzim Basha, gjatë takimeve të veçanta që zhvilluan dje në Tiranë. Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, duke falënderuar Turqinë për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë vendit tonë në proceset integruese në strukturat euroatlantike. Z.Babaçan vlerësoi marrëdhëniet e gjithanshme mes dy vendeve tona dhe pasi vuri në dukje rolin moderator dhe të ekuilibruar të Shqipërisë si një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon, nënvizoi mbështetjen e plotë të Turqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›