Mision i ri në Çad, nisen 63 ushtarakë
Një kontigjent i dytë trupash është nisur për në Çad, i përbërë nga 63 ushtarakë, të cilët do të kontribuojnë për paqen në shtetin afrikan. Në aeroportin ushtarak të Rinasit u zhvillua ceremonia e nisjes së Kontigjentit të Dytë Paqeruajtës në Çad. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, shprehu nderimin për ushtarakët shqiptarë. Ai theksoi faktin se tashmë misionarët tanë nisen si ushtarakë të aleancës më të madhe të Atlantikut të Veriut. “Në këtë kontekst, merita më e madhe u takon pikërisht atyre, që me kontributin e tyre kanë nderuar flamurin kombëtar; kanë nderuar misionin e rëndësishëm të ushtarakut”, - tha ai. Kontigjenti shqiptar ka në përbërje të tij 63 trupa, përkatësisht: 9 oficerë, 25 nënoficerë dhe 29 ushtarë profesionistë, me komandant kapiten Mentor Palluçin. Misioni do të zgjasë 6 muaj dhe do të ketë si detyra kryesore: shoqërimin e konvojëve, shoqërimin e personaliteteve, ruajtjen e objekteve të veçanta dhe të sigurisë në bazë etj.