Entuziazmi i së djathtës dhe dëshpërimi i së majtës
Nga Nebil Çika
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, si çdo moment historik i këtij kombi, ka nxjerrë në pah edhe ndjesitë, filozofitë dhe orientimet politike të së djathtës dhe të së majtës. Deri para momentit të zyrtarizimit të anëtarësimit kisha besuar se për efekte politike e elektorale lidershipi i së majtës shqiptare do të kapërcente hendekun ideologjik për t’iu bashkuar qoftë edhe formalisht entuziazmit mbarëkombëtar nga kjo arritje historike. Fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu. Lidershipet politike të së majtës manifestuan një qëndrim politik jo shumë larg atij të diktaturës ndaj anëtarësimit në NATO, gjë që është shprehur hapur në reagimin politiko-mediatik gjatë dhe pas këtij evenimenti. Një pjesë e politikës dhe e mediave të majta patën guximin të jenë më të sinqerta në qëndrimet e tyre ndaj këtij zhvillimi, duke u bërë edhe përçuesit publikë të asaj që e majta shqiptare po përjeton. Pohimi i ish-Kryeministrit socialist Majko se e majta nuk mund të ishte ajo që do ta udhëhiqte vendin drejt NATO-s, është një konstatim sa real, aq edhe i sinqertë.
Integrimi euroatlantik i vendit është ekskluzivisht një aspiratë, tani edhe arritje, historike e antikomunistëve shqiptarë. Jo rastësisht integrimi euroatlantik i Shqipërisë filloi të konturohet e të konkretizohet vetëm pasi në pushtet erdhi e djathta. Që të realizosh një marrëveshje, siç është integrimi në NATO, duhet pa dyshim vullnet, besim dhe përkushtim reciprok nga të dyja palët. As që mund të mendohej se ish-komunistët shqiptarë mund të kishin besimin e drejtuesve të NATO-s, organizimit politiko-ushtarak të krijuar pikërisht për të mbrojtur lirinë, demokracinë dhe vlerat perëndimore nga rreziku i komunizmit. Në kushtet që ndodhet e majta shqiptare, sidomos PS-ja, nuk bëhet fjalë për një besim të tillë nga aleatët euroatlantikë. Për të kuptuar më mirë këtë mjafton të kujtojmë se PS-ja është e vetmja parti trashëgimtare direkt e ish-Partisë Komuniste (Partia e Punës) në të gjithë Evropën Juglindore. E mjaftuar vetëm me ndryshimin e emrit dhe përshtatje të politikave me sistemin kapitalist, ajo demonstron mungesë të thellë reformimi, gjë që në rasatin më të mirë nuk mund të pretendojë partneritet me politikën dhe institucionet euroatlantike, sidomos në gjëra kaq delikate sa ç’është anëtarësimi në NATO.
Burimet e inkriminuara apo të dyshimta njerëzore, qëndrimi ndaj diktaturës dhe krimeve të saj, lidhjeve historike, vendet ende komuniste apo organizatat e përcaktuar si terroriste nga NATO-ja dhe SHBA-të janë arsye të plota që vërtetojnë pamundësinë e kësaj të majte për të qenë partnere serioze dhe e besueshme e aleatëve euroatlantikë. Sa mundësi besimi mendoni se kishte ish-Presidenti, një ushtarak i shkolluar në Rusi, arkitekt dhe zbatues i bunkerizimit, simbolit anti-NATO të diktaturës shqiptare?! Po ish-Kryeministri, një ish-punonjës i Institutit M. L. që sfidonte NATO-n duke takuar Millosheviçin, ndërsa ajo bëhej gati ta bombardonte? Po ish-drejtuesit e majtë të Parlamentit në dy legjislaturat e mazhorancës së majtë, njëri ish-ministër komunist dhe marksist-leninist, i deklaruar i formuar në shkollat e ish-Bashkimit Sovjetik?! Për të mos vazhduar me sa e sa të tjerë drejtues të së majtës shqiptare. Besoj se këtë bilanc mund të ketë pasuar parasysh Majko kur deklaronte pamundësinë e të majtës për integrimin euroatlantik të Shqipërisë. Por besoj se edhe vetë e majta nuk ka shfaqur ndonjë interes për këtë proces. Mungesa e vullnetit të së majtës shqiptare për të mos kryer reformat, flet qartë për pamundësinë e saj në procesin e integrimit euroatlantik.
E djathta, përkundrazi, e shpalli prioritet më shumë se politik integrimin euroatlantik. Serioziteti në projekt parësor të qeverisjes “Berisha” u vu re tek realizimi i reformave dhe parakushteve të anëtarësimit. Anëtarësimi në NATO e ka kaluar dukshëm realizimin e premtimit lidhur me integrimin të PD-së. Në programin e saj elektoral në 2005-n PD-ja kishte shpallur si objektiv vetëm ftesën për në NATO, ndërkohë që realizoi anëtarësimin e plotë. Nuk besoj të ketë njeri normal që ta mohojë një sukses të tillë. Duket se suksesi i PD-së, ajo që i bën të ndihen keq të majtët, është realizimi i reformave. Zërat politiko-mediatikë se “Shqipëria në NATO” ishte një zhvillim “për arsye gjeopolitike” u mekën, pasi Presidenti Obama dhe udhëheqës të tjerë të vendeve të Aleancës e cilësuan këtë anëtarësim si fryt i reformave të kryera nga qeveria. Kjo qe natyrisht një arsye më shumë për dëshpërimin më shumë se politik të së majtës. Për të bërë një krahasim me “stafin” qeverisës të së majtës që përmendëm më lart, delegacioni që mori ftesën dhe realizoi anëtarësimin, jo vetëm që nuk ka asnjë lidhje me diktaturën, Traktatin e Varshavës, ish-Bashkimin Sovjetik apo organizata terroriste, por bart vlerat më të larta të antikomunizmit, aspiratave dhe traditës demokratike të këtij vendi. Topi, Berisha, Topalli, Basha, Oketa e të tjerë ishin pa dyshim një delegacion, një lidership me integritetin e duhur politiko-moral për ta marrë përsipër një mision të tillë historik. Pra, në të gjitha planet, anëtarësimi në NATO dhe krejt procesi i integrimit euroatlantik ishte një mision që ishte projektuar dhe do të realizohej nga antikomunistët shqiptarë, një e drejtë dhe qëllim pothuaj hyjnor si shpërblim i mijëra sakrificave njerëzore afro 60-vjeçare.
Lidershipi i majtë ka të gjithë të drejtën të jetë i dëshpëruar. Ky moment përbën për ata humbjen e shpresës, ndërkohë që realiteti i ri post-NATO kërcënon edhe vetë ekzistencën e tyre politike. Pikëllimi i Ramëve, Nanove e të tjerëve në PS, si dhe reagimi i tyre nga urrejtja e deklaruar për lidershipin e djathtë deri tek mungesa e dëshirës “për të mos qenë shqiptar” pas anëtarësimit në NATO, është shprehja e humbjes që ish-komunistët shqiptarë ndiejnë politikisht, shpirtërisht dhe moralisht nga ky zhvillim, rëndësia historike e të cilit rritet edhe më shumë, pikërisht për këtë.