I kërkon ndihmë të birit: “Më jep litarin që të varem”
Sadete Alla vdes në spital pas tentativës për vetëvarje të hënën. Mbeti në provime, hidhet nga shkëmbi studentja e anglishtes
Edhe dy vetëvrasje i janë shtuar ngjarjeve të rënda të ndodhura ditët e fundit në Shqipëri, pas dhënies fund të jetës në mënyrë fatale nga një gjimnazist në Bilisht dhe një sipërmarrës në Laç. Një nënë i ka kërkuar të birit ndihmë për të vënë litarin në qafë, dhe pas disa orësh ka gjetur vdekjen në spital. Ndërsa një studente e vitit të parë të Anglishtes është hedhur nga shkëmbi në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë për shkakun se kishte mbetur në tre provime. Burimet zyrtare pohojnë se dy ngjarjet e rënda kanë ndodhur në Lushnjë dhe në Vlorë. Sipas të dhënave të Komisariatit të Policisë së Lushnjës, shtetasja Sadete Alla ndërroi jetën të martën pasdite në spital, pasi kishte tentuar të vriste veten në prani të fëmijës së saj 10-vjeçar ditën e hënë. Ndërsa trupi i 20-vjeçares Kejda Hasanaga, studente në vitin e parë, u gjet rreth orës 00:30, në afërsi të bregdetit të Ujit të Ftohtë, ku në bazë të hetimeve të para të policisë thuhet se flitet për një vetëvrasje”.
Vetëvarja
Të hënën pasdite, Sadete Alla ka vendosur t’i japë fund jetës dhe për të realizuar skenarin fatal ka kërkuar ndihmën e të birit 10-vjeçar. Nëna 34-vjeçare ka marrë litarin dhe falë të birit, e ka vënë rreth qafës, me synimin për tu larguar nga kjo botë. Por, teksa ndodhte ngjarja e rëndë në banesën e familjes Alla, në ndihmë të 34-vjeçares nga fshati Shegas i rrethit të Lushnjës kanë ardhur fqinjët e lajmëruar nga i mituri. Por, më në fund, pasditen e djeshme, rreth orës 16:30, Sadete Alla ndërroi jetë. Burime zyrtare të policisë së Lushnjës bëjnë të ditur se ngjarja, e cila çoi drejt vdekjes 34-vjeçaren, ndodhi të hënën rreth orës 17:00, ku trupi i Allës është gjetur i vetëvarur me një litar brenda në tualetin e banesës. Sipas tyre, viktima është dërguar nga familjarët në spitalin e qytetit, ku iu nënshtrua një mjekimi intensiv. Po sipas burimeve të policisë, 34-vjeçarja vuante nga depresioni dhe kishte tentuar edhe herë të tjera për t’u vetëvarur, por është ndaluar nga familjarët. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes së rëndë.
Hidhet studentja nga shkëmbi
Studentja e vitit të parë të degës Anglisht në universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, Kejda Hasanago, është gjetur e vdekur në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga policia. Nga hetimet e para të policisë mendohet se vajza i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga lartësia e shkëmbit në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Burime zyrtare të policisë thanë se “trupi i 20-vjeçares u gjet rreth orës 00:30. Të njëjtat burime thanë se grupi hetimor ka marrë në pyetje shokët dhe Kejdës për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Nga deklarimet mësohet se 20-vjeçarja kishte mbetur në 3 provime dhe kjo mund të jetë një ndër shkaqet që e kanë çuar atë në vetëvrasje. Nga dëshmitë mësohet se vajza punonte dhe si kameriere në një lokal në qytetin e Vlorës.
Disa ditë më parë, Mikel Hajce, gjimnazist në shkollën e mesme të qytetit të Bilishtit, i dha fund jetës, duke u vetëvarur, për shkakun se ishte pushuar nga shkolla për sjellje jo të mirë së bashku me dy shokët e tij nga drejtoria. Në letrën e lamtumirës, 17-vjeçari Hajce dha të gjitha shkaqet që e çuan në vendimin fatal, ku kërkoi që trupa pedagogjike të mos marrë pjesë në ceremonialin mortor. Ndërsa shokët e viktimës kërkuan largimin e drejtorit të shkollës.
27 Shkurt 2008