E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 6 zyrtarëve, regjistronin prona me dokumente false

Arrestohet shefi i një sektori të Hipotekës dhe dy regjistrues. Ndalohet një oficer policie, dy sekserë, dyshime për të tjerë të implikuar
Luan Kondi

Tiranë - Aksioni i Task-Forcës përfundon me prangosjen e tre zyrtarëve të Hipotekës, një oficeri të policisë dhe dy sekserëve. Këta persona ishin në përgjim prej kohësh dhe madje prokuroria kishte nisur për ta procedimin penal, por priste verifikimin e fakteve. Madje është pritur edhe arrestimi i tyre në flagrancë, ndërsa regjistronin prona me dokumente false. Burime të sigurta thanë për gazetën se 4 zyrtarë dhe 2 sekserë kanë rënë në pranga të policisë, pasi akuzohen për korrupsion në zyrat e Hipotekës. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë Task-Forcës, të cilët kanë thënë se bëhet fjalë për arrestimin e një shefi sektori, tre regjistruesve dhe një oficer policie. Sipas policisë, të arrestuarit janë Artan Mehmeti, shef sektori, Ramiz Hyka, regjistrues, Enton Babameto me detyrë specialist në Auditin e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në pranga ka rënë edhe oficeri i policisë, Dali Hakorja dhe sekserët Veiz Senko, Halil Hima. Këta persona janë prangosur gjatë një operacioni të organizuar nga forcat e Task-Forcës. Ndërkohë që burimet nga efektivat policore njoftojnë se këta janë vetëm të arrestuarit e parë të këtij operacioni, pasi priten arrestime të tjera. Uniformat blu shprehen se 6 të arrestuarit kanë regjistruar prona me dokumente false duke kryer vepër penale. Kapja e këtyre personave ka ardhur si pasojë e hetimit disajavor të prokurorisë dhe pasi janë evidentuar shkeljet është bërë i mundur arrestimi.

27 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›