I akuzuari mohon vrasjen e vëllait dhe 3 pjesëtarëve të familjes
BERAT – Kur kanë mbetur edhe pak seanca gjyqësore, Luan Mara, i akuzuar për vrasjen e familjes 3-anëtarëshe të vëllait të tij rreth dy vjet më parë në fshatin Kozarë, ka mohuar të gjitha akuzat. Avokati Dilaver Bengasi tha dje në sallën e gjyqit se klienti i tij nuk është vrasës, pasi nuk ka asnjë të dhënë që e përfshin në krim.
Trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët Nazmi Troka kryesues, Bernina Kondi dhe Agron Vavla. Akuza përfaqësohej nga prokurori Artian Bejo. Seanca e djeshme ka pasur si qëllim njohjen e të akuzuarit Luan Mara me provat e administruara deri në ditën e djeshme si dhe përgjigjja e pyetjeve të të akuzuarit të drejtuara atij nga avokati mbrojtës Bengasi, pyetje që kishin të bënin me saktësimin e vendndodhjes se Luan Marës një ditë përpara vrasjes, mbrëmjen e vrasjes dhe një ditë pas vrasjes së vëllait të tij, Shpëtim Mara, bashkëshortes Florie dhe djalit të tyre Artiol Mara. I vetmi i akuzuar si i dyshuar për këtë vrasje deri sot është vëllai i viktimës, i quajtur Luan Mara, i cili në përgjigje të pyetjeve të avokatit të tij ka shpjeguar të gjitha lëvizjet e një dite më parë, mbrëmjen dhe ditën e ngjarjes. Në seancën e djeshme 33-vjeçari Luan Mara ka thënë se ka pasur marrëdhënie të mira me vëllain e tij dhe se nuk ka pasur asnjë arsye që ta vriste atë, bashkëshorten e tij shtatzënë dhe djalin e tyre dyvjeçar, Artiolin. Mara ka thënë gjithashtu se nuk e ka pranuar kurrë akuzën, me përjashtim kur ai është dhunuar nga policia dhe i është kërkuar që të pranonte vrasjen. “Nuk ka asnjë element të provës që të nxjerrë si vrasës klientin e tij”, - tha avokati Dilaver Bengasi. “Nuk ka kapje në flagrancë, dëshmitar okular dhe element të provës materiale, që janë elementet bazë të akuzës”, - shtoi pala mbrojtëse. Luan Mara akuzohet për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e datës 10.02.2006 në fshatin Avaleas të komunës Kozarë në rrethin e Kuçovës, ku humbën jetën nga një breshëri kallashnikovi Shpëtim Mara, 30 vjeç, bashkëshortja e tij, shtatzënë Floria, 25 vjeçe dhe djalit të tyre 2-vjeçar Artioli. Megjithëse ka 2 vjet hetime, ende drejtësia nuk e ka dhënë fjalën e saj për autorin e këtij krimi të rëndë.
27 Shkurt 2008