E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, historia 59-vjeçare e krijimit dhe zgjerimit

• E formuar në vitin 1949 për të kundërshtuar kërcënimin e zgjerimit të Bashkimit Sovjetik, komunizmit, pas lufte, që kërkonte të

 zgjeronte influencën e tij në Evropë, NATO, Aleanca Veri-Atlantike (North Atlantic Treaty Organisation) është aleanca  e mbrojtjes rajonale më e fuqishme në botë. Kjo aleancë ka deklaruar gjithnjë se synimet e saj themelore janë “mbrojtja e lirisë, trashëgimia e përbashkët dhe civilizimi” i anëtarëve të saj duke promovuar “stabilitetin dhe mirëqenien në zonën veri-atlantike”. Anëtarët kanë rënë dakord se një sulm me armë kundrejt njërit prej vendeve të aleancës konsiderohet një sulm kundrejt të gjithë vendeve të saj, dhe se ata do të jenë gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar dhe mbrojtur njëri-tjetrin. E përbërë fillimisht nga 12 vende (Belgjika, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Danimarka, Portugalia, Franca, Kanadaja, Islanda, Italia, Britania e Madhe, SHBA), organizata u zgjerua me  Greqinë dhe Turqinë në vitin 1952 dhe Gjermaninë Perëndimore në vitin 1955. Megjithatë, atëherë si tani, Aleanca ishte e dominuar ushtarakisht nga SHBA. Misioni në Afganistan ishte i pari jo-evropian për NATO-n. Në vitin 1955, Bashkimi Sovjetik krijoi një kundër-aleancë të quajtur Pakti i Varshavës, i cili u shpërbë pas ndarjes së BRSS në vitin 1991. Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia u bënë vendet e para të ish-paktit të Varshavës që u anëtarësuan në NATO në vitin 1999. Hapi tjetër historik erdhi në vitin 2004, kur Estonia, Letonia dhe Lituania, Republika të BRSS deri në shpërbërjen e saj në 1991, bashkë me Slloveninë, Sllovakinë, Bullgarinë dhe Rumaninë u mirëpritën si vende anëtare të NATO-s në një ceremoni në Uashington. Bosnja, Mali i Zi dhe Serbia janë bërë pjesë e programit për partneritetin e Paqes, hapi i parë drejt anëtarësimit. Ndërkohë, përveç këtyre vendeve edhe Gjeorgjia dhe Ukraina kanë aspiruar për t’u bërë anëtare me të drejta të plota në NATO. Por në ndryshim nga Maqedonia, e cila nuk pranohet nga Greqia anëtare, kandidaturat e dy vendeve ish-sovjetike janë kundërshtuar pikërisht nga Rusia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›