NATO intensifikon sulmet kundër Gaddafit
Aeroplanët e NATO-s i kanë vazhduar sulmet në Tripoli, në atë që është përshkruar si një nga ditët me bombardimet më të mëdha në kryeqytetin libian, që kur kanë nisur sulmet kundër regjimit të Mummar Gaddafit.
Raportohet se sulmet ajrore kanë nisur në natën e së martës dhe kanë vazhduar deri në mëngjesin e së mërkurës. Ende nuk është e qartë se çfarë saktë është goditur gjatë këtyre sulmeve, mirëpo regjimi i Gaddafit ka thënë se 31 persona, përfshirë edhe civilë, janë vrarë nga bombardimet e fundit.
Në një adresim të xhiruar në televizionin shtetëror, Gaddafi i ka akuzuar NATO-n dhe kryengritësit që po luftojnë kundër regjimit të tij 30 vjeçar, ndërsa është betuar që të mos dorëzohet kurrë.
Në Washington, presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se është shënuar progres i rëndësishëm gjatë operacioneve të NATO-s dhe se është “vetëm çështje kohe” derisa Gaddafi të largohet nga pushteti.
Ndërkohë, ministrat e Mbrojtjes së NATO-s u takuan në Bruksel, për të rishikuar rezultatet e fushatës ajrore dy mujore në Libi, pas thirrjeve që janë bërë për vendet anëtare që të rrisin kontributin në këtë mision.
Javën e kaluar, aleanca u pajtua që të zgjerojë operacionet e saj në Libi, edhe për 90 ditë tjera, si pjesë e mandatit të dhënë nga OKB-ja.