E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi për liberalizmin e vizave brenda mesit të 2010-ës

16/03/2010 Procesi në rrugë të mbarë

Mijëra emigrantë presin me padurim që të afërmit e tyre të shkojnë t’i vizitojnë sa herë që kanë nevojë. Edhe në rastin e shqiptares që ka thyer rekordin e jetëgjatësisë, ajo mezi pret që disa prej 80 nipërve e mbesave që ajo ka të shkojnë e ta shohin. Sakaq, vendimi për liberalizimin e vizave mes BE-së dhe vendit tonë do të merret brenda muajit qershor të këtij viti. Në përfundim të Komitetit të Stabilizim-Asocimit, drejtori i për zgjerim në BE, Pierre Mirel, ka bërë me dije se aktualisht pritet raporti i ekspertëve të BE-së, të cilët kanë vizituar Shqipërinë gjatë javëve të fundit dhe që më pas do të diskutohet në organet përkatëse. “Kjo është e njëjta metodologji që kemi përdorur me vende të tjera. Ne jemi angazhuar dhe do ta japim propozimin tonë deri në mes të vitit 2010 dhe do t’i përmbahemi këtij premtimi”, ka deklaruar zyrtari i lartë evropian. Duke paraqitur konkluzionet e takimit, Mirel theksoi se një çështje e rëndësishme që është diskutuar lidhet me të drejtën e pronësisë në Shqipëri. “Kemi ngritur një çështje që nuk është e re dhe që ka të bëjë me të drejtën e pronësisë, pasi ne besojmë me të vërtetë se kjo është një pengesë për ecurinë e vendit e për më tepër për investimet e huaja”, ka deklaruar Mirel. Ai bëri me dije se gjatë takimit është vlerësuar pozitivisht zbatimi që i është bërë MSA-së. Duke kërkuar vazhdimin e reformave në gjyqësor, ai ka vlerësuar masat e marra nga ana e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›