E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO-ja "hyn" në shkolla dhe fakultete

Ftesa për anëtarësim në NATO do të reflektohet edhe në shkolla e fakultete. Një ditë pas samitit dhe vendimit të rëndësishëm për Shqipërinë, ministri i Arsimit, Genc Pollo, deklaron se në shkolla do të shtohen tema të veçanta mësimore për NATO-n. "Do të mbahen konferenca, seminare dhe aktivitete të ndryshme kushtuar këtyre temave, si një reagim i parë ndaj një përgjegjësie të re, që lidhet me njohjen dhe përvetësimin më të thellë të fakteve, por edhe të vlerave dhe parimeve mbi të cilat është ndërtuar Aleanca dhe mbi të cilat është ndërtuar edhe Shqipëria e periudhës së demokracisë". Kështu u shpreh dje për mediat, ministri Pollo.

Por jo vetëm seminare në librat e historisë së arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm, NATO-ja do të jetë temë mësimore. "Do të udhëzohen shtëpitë botuese që do të certifikohen si fituese, që të trajtojnë me një shtojcë historikun e NATO-s, parimet mbi të cilat është ngritur, strukturat etj.", deklaroi ai. Ftesa zyrtare për të hyrë në NATO është edhe një moment përqendrimi tek Aleanca e Atlantikut, si dhe sfidat e NATOS-s të shek 21-të. Për këtë arsye, MASH-i angazhohet në organizimin e një sërë aktivitetesh për NATO-n, rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në NATO, ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

Këto aktivitete do të organizohen në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe me fakultetet e historisë dhe shkencave humane në të gjitha universitetet e vendit.

Ndërsa shkollat e larta pritet të organizojnë një seksion shkencor. Bashkëpunimi me fakultetet e Shkencave Politike të Universitetit të Tiranës, Akademinë e Forcave të Armatosura dhe Fakultetin e Historisë konsiston në mbajtjen e një konference me temë "Sfidat e Shqipërisë në NATO".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›