Detyrimet e NATO-s, Kuvendi rimerr diskutimin e dy reformave
Pas marrjes së ftesës për në NATO, politika shqiptare ka filluar të artikulojë dy detyrat kryesore që duhet të realizojnë menjëherë. Sipas tyre, tashmë duhet të nisin diskutimet për realizimin e reformës elektorale, puna për të cilën ende nuk ka filluar dhe për përfundimin e saj në sistemin e drejtësisë, që ka mbetur në mes. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë emisionit "Top Story" në "Top Channel", deklaroi dje se mazhoranca dhe Kuvendi janë të gatshëm që të nisin menjëherë punën për përfundimin e dy reformave të mëdha, duke marrë në shqyrtim propozimet e opozitës. Puna, sipas saj, duhet të kryhet nga Komisioni i Ligjeve. Kjo deklaratë e Kryetares së Kuvendit, është përforcuar edhe nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, i cili ka theksuar se "mazhoranca e ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të nisur punën për realizimin e këtyre reformave. Puna mund të fillojë që ditën e hënë nëse opozita është dakord". Ai ka shtuar më tej se Komisioni i Ligjeve, pas miratimit për të realizuar ndryshimet kushtetuese, do t‘i hapë rrugën Komisionit për Reformën Zgjedhore, i cili duhet të vendosë për ligjin e ri elektoral që do të adaptojë vendi. Ideja, tha Beja, është që të heqim sistemin zgjedhor nga Kushtetua, duke e lënë atë vetëm në parim si nen të veçantë dhe në Kodin Zgjedhor të jetë sistemi i realizuar plotësisht me të gjithë komponentët e tij. Por partitë politike, prej muajsh, kanë deklaruar para shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar se do të realizojnë kushtet e vëna prej tyre siç ishte realizimi i reformës zgjedhore dhe ai i drejtësisë. Pasi pa realizimin e tyre, nuk mund të kishte anëtarësim në NATO. Kjo deklaratë, tashmë është djegur, sepse Shqipëria e mori ftesën për në NATO, por dy kushtet nuk u plotësuan. Kjo, jo për faj të shqiptareve, por të vetë politikës, e cila nuk gjeti gjuhën e bashkëpunimit në kohën e duhur. Vlen për t‘u theksuar se në sferën politike do të ndizet sërish debati për sistemin zgjedhor, pasi partitë politike ende nuk kanë gjetur një formulë të përbashkët. Këtë herë debati nuk bëhet mes pozitës dhe opozitës, siç ka ndodhur rëndom këto 17 vjet demokraci, por mes dy partive të mëdha, të cilat kanë unifikuar qëndrimin e tyre për sa i përket sistemit zgjedhor, duke ndarë pikëpamje të njëjta dhe partive të vogla, nga krahu tjetër, të cilat nuk pranojnë zgjedhjen e dy partive të mëdha. Dy partitë e mëdha, PD-ja dhe PS-ja, kanë shprehur preferencën e tyre për sistemin gjerman, i cili është proporcional me lista të mbyllura, ndërsa partitë e vogla, për sistemin spanjoll, i cili është me lista të hapura. Sistemi zgjedhor ka krijuar krisje e përçarje mes partive politike, rrjedha e të cilave pritet të shihet sesi do të marrë në javët në vazhdim. Pothuajse të njëjtin fat ka pasur edhe reforma në sistemin e drejtësisë. Puna për realizimin e saj ka nisur duke shënuar hapa paksa më konkretë, siç ishte realizimi i projektligjit për pushtetin gjyqësor, i cili megjithëse ka përfunduar është kontestuar shumë nga vetë gjyqtarët. Ndërkohë që ende nuk është bërë asgjë për reformimin e organit të prokurorisë, të KLD-së, apo Ministrisë së Drejtësisë. Dhe këtu puna pritet të rifillojë tani pas Samitit të NATO-s. Ai shënoi një hap pozitiv për sa i përket fushës së mbrojtjes, por për ta çuar punën e nisur deri në fund duhet të realizohen një sërë reformash dhe duhet të plotësohen disa kritere kryesore që edhe vendi ynë të jetë pjesë e kësaj organizate me të drejta të plota. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë ministri i Mbrojtjes, Oketa, i cili nga Bukureshti është shprehur se "ftesa është një vlerësim për kontributin madhor të Forcave tona të Armatosura". Sipas tij "marrja e kësaj ftese është një proces intensiv pune dhe angazhimesh të mëtejshme, që na presin deri në anëtarësimin e plotë me të drejta të barabarta në Aleancë".