E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti i NATO-s, Putin në sulm: "Do të mbrojmë sigurinë tonë"

Një rikthim i Luftës së Ftohtë, është i pamundur. Por, pasi ka thënë këtë, Putin përdor fjalë të rënda në përfundimin e Samitit të vendeve të NATO-s në Bukuresht. Numri një i Kremlinit ka thënë se Rusia do të detyrohet të marrë masa për të mbrojtur sigurinë e saj, në përgjigje të zgjerimit të NATO-s përtej kufijve të Bashkimit të dikurshëm Sovjetik. Më pas, ai ka akuzuar disa vende të Aleancës së Atlantikut Verior se po demonizojnë Moskën, duke mos njohur rolin që Rusia ka luajtur në kapërcimin dhe hedhjen pas krahëve të Luftës së Ftohtë. Sipas burimeve nga delegacioni rus, Putin, ka deklaruar se është i gatshëm të kthehet në Traktatin e Forcave Konvencionale, aplikimi i të cilit ishte pezulluar nga ana e Kremlinit, nëse fuqitë perëndimore do të jenë të gatshme të arrijnë një kompromis. Presidenti rus, veç të tjerash, ka sfiduar hapur pozicionet e Uashingtonit mbi Iranin, duke pretenduar se Republika Islamike duhet të ndihmohet që të dalë nga izolimi. Pra, me fjalë të tjera, fjalimi i Putinit ka qenë i drejtpërdrejtë e madje i ashpër. Në përfundim, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, ka folur për një përballje të karakterizuar nga fryma pozitive. "Këtë mëngjes nuk mund të ankohem për retorikat e padobishme", ka thënë Shefer, duke shtuar: "Do të gabohesha nëse do ta përshkruaja si një përplasje këndvështrimesh", pavarësisht divergjencave mbi zgjerimin e NATO-s me Gjeorgjinë dhe Ukrainën. "Sigurisht, kjo mbetet një pikë, ku ne nuk kemi gjetur ende pajtim", thotë ai. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka bërë të ditur se Putin ka bërë shumë komente edhe mbi Traktatin e Forcave Konvencionale në Evropë, por sipas tij, diskutimet do të vazhdojnë. Debati mes NATO-s dhe Rusisë vazhdon edhe mbi Kosovën, ku siç ka saktësuar Shefer, "nuk ka një pikë akordi mbi rolin e KFOR-it". "NATO-ja nuk ka të bëjë me njohjen e pavarësisë së Kosovës", ka thënë Shefer. Sekretari i Aleancës së Atlantikut Verior ka vënë në dukje edhe se ky ishte takimi i fundit NATO-Rusi, në të cilin kanë marrë pjesë Bush dhe Putin: "Mund të them me siguri, se të dy ata do të na mungojnë". "Për mua, do të jetë si fundi i shërbimit ushtarak", ka thënë Presidenti Putin gjatë konferencës për shtyp të transmetuar drejtpërsëdrejti nga televizionet ruse. Pas kaq shumë përgjegjësish, pas kaq shumë angazhimesh e detyrimesh në cilësinë e shefit të shtetit, ka thënë Putin, "jam në pritje të momentit në të cilin do të më lehtësohet barra mbi shpinë". "Pasuesi im, ka shtuar ai, duke folur për Dimitri Medvedev, pa e përmendur emrin e tij, "është një person i shkëlqyer, shumë i përgatitur, nuk do të mërziteni me të". Ishte ky një lloj mesazhi lamtumire, në përfundim të atij që duhet të jetë misioni i fundit, i madh, jashtë vendit, i tij si President. E si pasojë, në këtë pikë, Putin ka zbutur edhe zërin dhe ka falënderuar "të gjithë kolegët, disa prej të cilëve ndodhen edhe në sallë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›