Bush takohet sot me Topin dhe Berishën në Zagreb
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, është kthyer sërish në Ballkanin Perëndimor, ose siç quhet Evropa Juglindore, për të rikonfirmuar mbështetjen e Uashingtonit për tre vendet e Kartës së Adriatikut, por edhe për shtetet e tjera, kryesisht dy më të rinjve: Kosovën dhe Malin e Zi. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka mbërritur dje në Kroaci, ku është takuar me homologun e tij, Stipe Mesiç. Ndërsa sot, Presidenti Bush do të zhvillojë në drekë një takim me krerët e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Pas vendimit për dhënien e ftesës për anëtarësim në NATO për Kroacinë dhe Shqipërinë dhe mungesën e saj për Maqedoninë, pjesë e rëndësishme e takimit është mesazhi për mbështetjen e Shkupit. Skena e takimit do të jetë e njëjtë me atë që u krye në Tiranë, në qershorin e shkuar. Në kryeqytetin kroat Zagreb, Presidenti Bush do të jetë në një drekë të përbashkët pune me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryeministrin Berisha, Presidentin kroat, Stipe Mesiç, Kryeministrin Ivo Sander, Presidentin maqedonas, Branko Cervenkovski dhe Kryeministrin Nikolla Gruevski. Në axhendën e Presidentit Bush theksohet se ai do të takohet me autoritetet shtetërore të vendeve që janë pjesë eKartës së Adriatikut. Siç bëhet e ditur, Presidenti amerikan do të shprehë mbështetjen e SHBA-ve për Maqedoninë, për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO, menjëherë pas zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë. Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha të shoqëruar nga ministrat pjesëmarrës në delegacionin shqiptar në Samitin e NATO-s, në Bukuresht, menjëherë pas punimeve të tij, u nisën dje pasdite në Kroaci, për të marrë pjesë në pritjen që Presidenti amerikan Xhorxh Bush organizon për vendet që morën ftesën për anëtarësim në NATO. Kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin amerikan dhe gjatë një dreke pune. Sot në mëngjes pritet që Bushi të mbajë fjalim para qytetarëve në sheshin para ndërtesës qeveritare. Policia e Zagrebit paralajmëroi se vizita e Bushit nuk pritet ta cenojë rrjedhën normale të jetës së qytetarëve, ndonëse ekzistojnë rekomandime për shfrytëzimin e transportit publik në vend të automobilave personalë. Pritet që Bush t‘i porosisë zyrtarët e Zagrebit se Kroacia duhet të jetë shembull dhe partner për vendet tjera të Evropës Juglindore.
Në këtë kuadër, temë bisedimesh pritet që të jetë gjendja në Bosnjë dhe Hercegovinë, zhvillimet rreth Kosovës, si dhe bashkëpunimi i mëtejshëm i Kroacisë në misionet paqeruajtëse. Nga Zagrebi, Presidenti Bush pritet që të japë gjithashtu një mesazh për Shqipërinë e Maqedoninë, por edhe për vendet e tjera të rajonit se dyert e NATO-s janë të hapura nëse ndërmarrin reforma serioze politike, ekonomike dhe ushtarake, si dhe nëse bashkëpunojnë plotësisht me Tribunalin e Hagës për krime lufte.
Në këtë kuadër, temë bisedimesh pritet që të jetë gjendja në Bosnjë dhe Hercegovinë, zhvillimet rreth Kosovës, si dhe bashkëpunimi i mëtejshëm i Kroacisë në misionet paqeruajtëse. Nga Zagrebi, Presidenti Bush pritet që të japë gjithashtu një mesazh për Shqipërinë e Maqedoninë, por edhe për vendet e tjera të rajonit se dyert e NATO-s janë të hapura nëse ndërmarrin reforma serioze politike, ekonomike dhe ushtarake, si dhe nëse bashkëpunojnë plotësisht me Tribunalin e Hagës për krime lufte.