E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e gjatë drejt anëtarësimit të plotë në Aleancë

Periudha njëvjeçare deri kur flamuri ynë kombëtar do të ngrihet në oborrin e selisë qendrore të NATO-s në Bruksel, do të jetë një provë e vërtetë për krerët e vendit që të plotësojnë detyrimet ende të pazbatuara që lidhen me forcimin e demokracisë, shtetit ligjor, si dhe kontrollin civil të Forcave të Armatosura. Siç bëjnë të ditur burime në Drejtorinë e Integrimit në NATO, në Ministrinë e Jashtme, të cilët e kanë të ndaluar të shprehen në publik, Këshilli i Atlantikut dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, do të mbikëqyrin rreptë kërkesat që i kanë vënë përpara drejtuesve të Tiranës zyrtare. Këto detyra "shtëpie" konsistojnë në dy degë kryesore: atë politike dhe ushtarake. Në fushën politike, Shqipëria duhet të japë prova se arrin të organizojë zgjedhje të lira, të ndershme, sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare. "Thembra e Akilit" e Shqipërisë është padyshim dhe kërkesa kryesore e NATO-s, dhe një dështim në këtë pikë mund të krijojë probleme të mëdha, deri në mesin e vitit të ardhshëm. Sipas burimeve, brenda këtij viti, duhet të mbyllet hartimi dhe miratimi i së gjithë infrastrukturës zgjedhore. Një detyrim i vendit tonë, që është edhe kusht për hyrjen në NATO, është forcimi i stabilitetit të brendshëm dhe konsolidimi i institucioneve demokratike. Kështu kërkohet krijimi dhe konsolidimi i një administrate shtetërore efektive. Plani Kombëtar i Veprimit për Anëtarësim kërkon përsosje të sistemit të demokracisë, të ekonomisë së tregut, në politikën e jashtme të shtetit shqiptar, të reformës në fushën e mbrojtjes dhe të konsolidimit të situatës së brendshme. Duke specifikuar këtë kërkesë, në dokumentin e Aleancës së Atlantikut Verior theksohet se duhet intensifikuar lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të thellohet procesi i reformave në Forcat tona të Armatosura. Në këtë aspekt, kusht është drejtimi civil i ushtrisë dhe hartimi me ligj i mbrojtjes së ushtarakëve, duke ndarë në mënyrë të qartë pushtetin. Gjithashtu kërkohet që përfundimisht Shqipëria duhet të heqë shërbimin e detyruar ushtarak, duke i kthyer Forcat e Armatosura në një forcë profesioniste. Një detyrim tjetër është bashkëpunimi me vendet e Aleancës në luftën e përbashkët kundër terrorizmit, si dhe të fenomeneve që lidhen me të, si trafiqet e paligjshme të drogës, armëve e personave, të përmirësohet legjislacioni kombëtar me qëllim harmonizimin e tij me standardet e Aleancës. Për sa i takon kontrollit dhe menaxhimit të kufirit, krahas masave të ndërmarra në aspektin ligjor, janë pasqyruar edhe përpjekjet konkrete të autoriteteve përgjegjëse për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga angazhimet e marra në Konferencën e Ohrit për kontrollin e integruar të menaxhimit të kufirit. Në dokument pasqyrohet qartë progresi në implementimin e reformës në fushën e mbrojtjes dhe evidentohen qartë afatet për zbatimin e saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›