E Diel, 1 Nëntor 2026

Krerët maqedonas vazhdojnë polemikat, gati zgjedhjet e parakohshme

Krerët maqedonas nuk i kanë ndalur deklaratat polemizuese me Athinën, edhe dy ditë pas mungesës së marrjes së ftesës për në NATO në Samitin e Bukureshtit. Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Lubisha Georgievski, deklaroi se vetoja greke në Samitin e Bukureshtit ishte stereotip tipik i luftës dhe urrejtjes. "Fatkeqësisht, në Ballkan mbretërojnë stereotipe në kulturë-kultura e urrejtjes, kultura e xhelozisë, kultura e intolerancës dhe kultura e terrorit. Edhe në suaza të stereotipeve, më i fuqishmi mund ta mundë më të dobëtin", tha Georgievski. Ai shtoi se populli maqedonas ka krijuar vlera kulturore,të cilat janë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore mirëpo gjithnjë, siç tha ai, dikush ka tentuar që t‘i mohojë ose t‘i përvetësojë ato. Georgievski theksoi se Maqedonia, edhe pas kësaj ngjarjeje, do të vazhdojë drejt rrugës së integrimeve euroatlantike dhe me këtë do ta ruajë stabilitetin e shtetit dhe të të gjithë rajonit. Ndërkaq, gazeta e përditshme greke, TA NEA, shkruante dje se moshyrja në NATO mund të shkaktojë krizë qeveritare dhe parlamentare në Shkup. Sipas TA NEAS-s, pritet që të organizohen zgjedhje të parakohshme në Maqedoni gjatë muajit qershor.

Gazeta shkruan se për t‘u shfrytëzuar situata e re në marrëdhëniet midis Shkupit dhe Athinës pas vendimit të NATO-s, duhet të fillojë një raund i ri bisedimesh edhe atë sa më shpejt, pavarësisht asaj se në qershor në Maqedoni pritet të zhvillohen zgjedhje të parakohshme. TA NEA shkruan se qeveria greke planifikon masa për të zbutur atmosferën e rëndë të krijuar pas Samitit të NATO-s, pas refuzimit të Maqedonisë.

Sheshi "Bush"

Shkupi zyrtar ndërmerr veprim politik për të "joshur" Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përdorur një simbol- emërtimi në kryeqytetin e vendit. Vetëm pas dështimit për të marrë ftesën në NATO, krerët e Maqedonisë kanë vendosur që një shesh i kryeqytetit të vendit të mbajë emrin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush. Ndërkohë që Maqedonia e krijuar me mbështetjen e fortë të SHBA-së dhe e ruajtur nga forca ushtarake amerikane, vendos pas 17 vjetësh që të pagëzojë një vend të qytetit me emrin e Presidentit të SHBA-së. Kryetari i Bashkisë së Shkupit, Trifun Kostovski, propozoi që Parku i Qytetit të Shkupit të mbajë emrin e Presidentit amerikan, Xhorxh Bush. "Nisma i është dorëzuar Kuvendit të qytetit të Shkupit në shenjë të falënderimit dhe mbështetjes së madhe nga Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, për Maqedoninë në Samitin e NATO-s në Bukuresht dhe për shkak të njohjes me emrin kushtetues Republika e Maqedonisë nga SHBA-të", thuhet në njoftimin e kabinetit të kryetarit të qytetit të Shkupit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›