NATO-ja tërhiqet nga Afganistani, Shqipëria do të shtojë praninë civile
Albert Gjoka -Aleanca Euroatlantike pritet të tërhiqet nga Afganistani, por vendet anëtare të NATO-s pritet të rritin praninë civile. Një gjë të tillë do ta bëjë edhe Shqipëria. Kryeministri Berisha pohoi se vendi do të shtojë personelin civil për zhvillimin e kësaj vatre konflikti. Samiti i NATO-s u mbyll edhe me miratimin e “Konceptit të ri strategjik të Aleancës”, i cili përkthehet në më shumë siguri për vendet anëtare, përfshi edhe Shqipërinë. Përfaqësuesit e vendeve anëtare të NATO-s kanë rënë dakord për sistemin mbrojtjes antiraketore dhe për herë të parë dje është shënuar një pikë kthese rreth kësaj çështjeje mes Aleancës më të fuqishme ushtarake të botës dhe Rusisë. Në deklaratën përfundimtare të Samitit, prej 13 faqesh, është shprehur angazhimi edhe për stabilitetin e Kosovës dhe i kërkohet Serbisë që të luajë rol konstruktiv, por ajo duhet që të dorëzojë të kërkuarit e Drejtësisë në Gjykatën e Hagës.
Deklarata
Samiti i Lisbonës ka shënuar një fazë të re zbutjeje të Aleancës në skenën globale. Në deklaratën përfundimtare, krerët e qeverive të vendeve të NATO-s ranë dakord për një skemë tërheqjeje graduale deri në vitin 2014 nga Afganistani. Por, paralelisht, pritet të ketë skemë afatgjatë bashkëpunimi mes organizatës dhe autoriteteve të Kabulit edhe pas kësaj date. Po ashtu, krerët e shteteve ranë dakord për reduktimin e pranisë ushtarake të NATO-s në Kosovë deri në arritjen e fazës së mbikëqyrjes politike të proceseve në këtë vend. Samiti u mbyll me angazhimin e Aleancës për të ndjekur politikën e “dyerve të hapura” ndaj vendeve të Ballkanit, si Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja apo edhe Serbia. Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga takimi i “Adriatik 5”, ku shtetet anëtare nga rajoni i Ballkanit kërkuan integrimin sa më të shpejtë në Aleancë të fqinjëve të tyre. Maqedonia ka të vetmen pengesë konfliktin ende të pazgjidhur me Greqinë për çështjen e emrit.
Lisbona nuk do të harrohet as për akordin e arritur mes NATO-s dhe Rusisë, e cila më në fund arriti të pranojë skemën e mbrojtjes antiraketore të Aleancës në Europë. Samiti i Lisbonës miratoi në fillimin e tij “Konceptin e ri strategjik”, i cili parashikon mbrojtjen e të gjithë anëtarëve të saj nga rreziqet e çdo lloj niveli, madje edhe aftësinë e menaxhimit të pjesës më të madhe të krizave dhe për të punuar më mirë me organizatat dhe shtetet që të promovohet stabiliteti ndërkombëtar. Ministri shqiptar i Mbrojtjes, zoti Imami, tha pas takimit se “me konceptin e ri strategjik Shqipëria përfiton siguri”. Sipas tij, kjo përkthehet në rritjen e sigurisë në vend. Miratimi i tij u përshëndet edhe nga qeveria shqiptare dy ditë më parë.
Shqipëria
Shqipëria, si një nga vendet anëtare të koalicionit në misionin paqeruajtës në Afganistan, është angazhuar për shtimin e pranisë civile në Afganistan. Kryeministri Berisha u shpreh se “Shqipëria nuk tërhiqet nga Afganistani. Atje është së bashku me Aleancën dhe do të qëndrojë atje për sa kohë të jetë nevoja”. “Përkundrazi, Shqipëria do të shqyrtojë që gjatë viteve që vijnë të mund të rritë dhe kontributin e saj civil në këtë vend, i cili ka një rëndësi të jashtëzakonshme për paqen, stabilitetin në botë dhe luftën kundër terrorizmit”, - pohoi kreu i qeverisë. Po ashtu, ai shtoi se Shqipëria nuk do të pakësojë buxhetin e saj për Forcat e Armatosura, sepse ato janë në një proces modernizimi të pandërprerë dhe kjo është e domosdoshme. Duke u ndalur te roli i Aleancës në Kosovë, zoti Berisha theksoi se “është e domosdoshme që Aleanca të proporcionojë trupat e saj, por të mbetet aty si faktor kryesor paqeje dhe stabiliteti”.
Burimet zyrtare pohojnë se Berisha është shprehur se “Ballkani Perëndimor është akoma një ‘unfinished business’, në kuptimin që është e domosdoshme që të vazhdojë anëtarësimi i vendeve të tjera të rajonit në Aleancën e Atlantikut të Veriut”.
Zoti Berisha mori pjesë në takimin e vendeve të Kartës së Adriatikut (A5), ku është rënë dakord nga krerët e qeverive të rajonit për të zgjeruar dhe thelluar më tej bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, por edhe në fusha të tjera, përfshirë edhe zgjerimin e kontributit të përbashkët në kuadër të misioneve të NATO-s në Afganistan.
Aktualisht Shqipëria ka një kontingjent prej 306 ushtarakësh në Afganistan, me numrin më të madh të trupave në këtë zonë konflikti për numrin e popullsisë.
Shqipëria është pranuar në prill të vitit 2009, në Samitin e Strasburg/Këlnit, shtet anëtar i NATO-s. Shqiptarët mbështetën anëtarësimin në Aleancë më shumë se asnjë vend tjetër i botës, në masën 96% dhe tashmë janë kontributorë jo vetëm me misione paqeruajtëse, por edhe financiar, duke plotësuar kushtet që përcakton anëtarësimi.
Box 1
Berisha flet me Obamën për potencialet e turizmit
Kreu i qeverisë shqiptare e ka shfrytëzuar takimin e shkurtër me Presidentin amerikan, Barak Obama, për të prezantuar potencialet e turizmit. Burimet zyrtare të Këshillit të Ministrave citojnë deklaratën e zotit Berisha, i cili u shpreh në lidhje me kontaktin me kreun e Shtëpisë së Bardhë: “Pata një bisedë të shkurtër dhe shumë të përzemërt me Presidentin Obama, i cili tregoi interes të veçantë, së pari për reformat dhe arritjet e tyre në Shqipëri dhe, së dyti, për çfarë ofron Shqipëria dhe cilat janë potencialet e saj energjike, ekonomike dhe turistike”. “Unë e njoha Presidentin Obama me faktin se Shqipëria, nga një vend që nuk ekzistonte në hartën e turizmit botëror, këtë vit ka marrë afro 3.5 milionë turistë. Dhe ai pati vlerësimin më të madh”, - u shpreh kryeministri Berisha.
Ministri Haxhinasto takon Obamën në Lisbonë
LISBONË – Shefi i Diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto, ka qenë fatlum pasi në mjediset ku zhvillohej Samiti i NATO-s në Lisbonë ka shtrënguar duart dhe ka shkëmbyer përshëndetjet diplomatike me Presidentin amerikan, Barak Obama. Burimet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme bëjnë të ditur se në takimin e shkurtër, kreu i Shtëpisë së Bardhë i shprehu ministrit Haxhinasto vlerësimin e tij për kontributin e çmuar dhe rolin aktiv të Shqipërisë në kuadër të NATO-s, si dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në këtë drejtim. “Në këtë samit, i cili u cilësua si historik, krerët e vendeve anëtare të Aleancës adoptuan Konceptin e ri Strategjik të NATO-s, nëpërmjet të cilit riafirmohen parimet themelore të kësaj organizate dhe vendosen objektivat strategjike për dekadën e ardhshme”, - thonë burimet zyrtare të Ministrisë së Jashtme.
OPINION
Tërheqja nga Afganistani, guri i rëndë i NATO-s
Radio “Europa e lirë”
Miratimi i strategjisë së tërheqjes nga Afganistani duket të jetë guri më i rëndë i miratuar në ditën e dytë dhe të fundit të takimit të NATO-s në Lisbonë. NATO-ja ka premtuar t'ua dorëzojë forcave afgane përgjegjësitë për çështjet e sigurisë deri në fund të vitit 2014, por ka theksuar se nuk do t'i braktisë afganët në luftën kundër talebanëve.
Presidenti afgan, Hamid Karzai, dhe udhëheqës nga 48 shtete që marrin pjesë në koalicionin në Afganistan, e pranuan strategjinë e tërheqjes. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se fillimi i kalimit të përgjegjësive do të nisë nga viti i ardhshëm.
"Lufta kundër terrorizmit në Afganistan ka rëndësi strategjike globale. Suksesi ka rëndësi për popullin afgan po aq sa ka dhe për ne", - tha Rasmusen, duke theksuar se Afganistani nuk do të braktiset. Çështja e mbrojtjes raketore për vendet anëtare të Aleancës dhe SHBA-të ka sjellë në një tryezë NATO-n dhe Rusinë. Presidenti rus, Dimitri Medvedev, e ka pranuar bashkëpunimin. Sipas kreut të Aleancës, ky është moment i paprecedent bashkëpunimi. "Duke filluar nga sot do të fillojmë të punojmë rreth asaj se si do të jetë bashkëpunimi mes NATO-s dhe Rusisë në fushën e mbrojtjes raketore. Ka shumë çështje që duhen adresuar, por më e rëndësishmja është se vendet e NATO-s dhe Rusia për herë të parë po diskutojnë bashkëpunimin për t’i mbrojtur territoret dhe popullsinë europiane", - theksoi Rasmusen.
Para takimit, Presidenti Obama theksoi se NATO-ja dhe Rusia “janë të kërcënuara nga të njëjtat rreziqe”. “Jam i kënaqur të njoftoj se për herë të parë kemi rënë dakord të zhvillojmë një sistem mbrojtjeje raketore, që është i fuqishëm dhe në gjendje të mbulojë gjithë territorin e vendeve europiane, - anëtare të NATO-s, si dhe Shtetet e Bashkuara. Pres që të punoj së bashku me Rusinë në këtë drejtim, duke pranuar se përballemi me të njëjtat kërcënime”, - tha Obama. Rusia ishte edhe në qendër të takimit mes Presidentit amerikan Barak Obama dhe atij të Gjeorgjisë, Mikail Sakashvili, që u mbajt në prag të Samitit. Sakashvili shprehu mbështetjen e vendit të tij për angazhimin e NATO-s me Rusinë, me shpresën se kjo do të bëjë që "Rusia të sillet në mënyrë më të civilizuar ndaj fqinjëve". Me gjithë fjalët e mirëseardhjes për Moskën, Rasmusen nuk harroi të përsëriste në mbyllje të takimit se marrëveshja për bashkëpunim me Rusinë nuk do të thotë se përfunduan mosmarrëveshjet apo dallimet.
22 Nentor 2010