NATO kërkon tejkalimin e kontestit të emrit të Maqedonisë

NATO ka rishfaqur interesin për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë, me qëllim që ky vend të bëhet anëtare e plotë e saj.
Kjo është theksuar dje nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO në takimin e ministrit të jashtëm, Nikolla Popovski dhe të mbrojtjes, Fatmir Besimi në kuadër të Këshillit Veriatlantik.
Ambasadorët e 28 vendeve anëtare të Aleancës kanë vlerësuar pozitivisht implementimin e ciklit të 12 të Planit aksional për anëtarësim dhe për detyrimet që ka realizuar Maqedonia në kuadër të Programës Nacionale Vjetore për anëtarësim në NATO për periudhën 2010 – 2011.
Në këtë takim me theks të veçantë është diskutuar kontesti i emrit, ku Aleanca njëzëri ka rishprehur interesin për t`u gjetur një zgjidhje për kontestin e emrit, me qëllim që vendi të bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO.
Gjatë takimit, janë shprehur mirënjohje për kontributin në ruajtjen e paqes rajonale dhe globale në kuadër të pjesëmarrjes në misionet ndërkombëtare dhe operacionet e udhëhequra nga NATO.
Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi ka deklaruar se anëtarësimi në NATO mbetet një prioritet strategjik i Maqedonisë, që sipas tij, ka rëndësinë e veçantë për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e ardhshëm të vendit dhe të rajonit. Ministri Besimi theksoi se do të vazhdojnë reformat në mbrojtje dhe kontributi në misionet për sigurimin e paqes.
Ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski lidhur me kontestin e emrit, ka nënvizuar se Qeveria e Maqedonisë vazhdimisht ka demonstruar gatishmërinë për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme të përbashkët. Ai ka shtuar se në këtë proces Maqedonia do të jetë e angazhuar në mënyrë konstruktive në negociatat që po udhëhiqen nën patronazhin e OKB-së.
Delegacioni i lartë qeveritar i Maqedonisë është takuar me zëvendës-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Klaudio Bisonjero si dhe një numër të madh të ambasadorëve të vendeve anëtare të Aleancës.