NATO ndihmë Shkodrës, Rama: Të nisin hetimet
PIRRO NASEVendet anëtare të NATO-s dhe të BE-së i përgjigjen pozitivisht kërkesës së Shqipërisë për të përballuar situatën emergjente të krijuar nga përmbytjet. Kërkesës së bërë nga ana e Komisionit Ndër-ministror, drejtuar Qendrës së Emergjencës të NATO-s dhe Qendrës së Emergjencave Evropiane, është pasuar me ndihma konkrete nga shtetet fqinje, si dhe nga anëtarët e NATO-s. Deri më tani, gjashtë shtete kanë ofruar ndihmën e tyre me anë të mjeteve të ndryshme për përballimin e situatës. Italia ka sjellë një helikopter me kapacitet transporti për 37 persona. Sipas burimeve, mësohet se ky helikopter do të instalohet në zonën e Gjadrit, ku do të bëjë edhe uljet e ngritjet nga kjo pistë. Gjithashtu po nga Italia kanë mbërritur 12 Autobote, pompa si dhe materiale të tjera: varka, tenda, gjeneratorë. Njëkohësisht janë dërguar dhe ushqime, medikamente dhe veshje. Sllovenia ka ofruar 13 gjeneratorë, Austria 13 gjeneratorë, Franca 12 pompa dhe 8 gjeneratorë. Nga Greqia kanë mbërritur dje 2 ekipe zjarrfikësish me një personel prej 29 vetë, 4 makina, së bashku me pajisjet, 2 varka me motor, 7 pompa të fuqishme. Trupa speciale të Republikës së Greqisë nga sektori i zjarrfikëses, të pajisura me mjete logjistike nga më të përparuarat, katër autobotë, po kaq varka shpëtimi, nëntë pompa për nxjerrjen e ujit, kanë hyrë dje në territorin shqiptar përmes Kakavijës, me destinacion veriun e vendit ku situata paraqitet ende dramatike, si pasojë e përmbytjeve. Këtyre pajisjeve i janë bashkuar edhe 5 gjeneratorë, si dhe mjete të tjera logjistike, që shërbejnë për evakuimin e personave në nevojë në raste fatkeqësish natyrore. Ardhja e kontingjentit të specialistëve grekë në nyjën kufitare më të madhe në jug të vendit ka bllokuar përkohësisht punën e qarkullimit të personave dhe mjeteve, si masë që lidhet me kalimin normal të autokolonës me automjete me ndihma të disa vendeve anëtare të NATO-s, si Italia, Franca, Sllovenia, Austria. Burime nga Kakavija kanë konfirmuar zyrtarisht se brenda një ore situata është normalizuar dhe radhët e gjata të automjeteve të stacionuara, janë ezauruar në orën 12:00. Kontingjenti i specialistëve grekë, është pritur dje në Kakavijë nga Prefektja e Qarkut të Gjirokastrës, Mimoza çomo. Ajo ka falënderuar, në emër të qeverisë shqiptare, 28 trupat speciale greke të cilat iu përgjigjën Qendrës së Emergjencave të NATO-s (EADRç) dhe Qendrës së Emergjencave Evropiane (MIC-ut). Dje mbërritën nga Italia me dy helikopterët ndihma në medikamente mjekësore. ndihmat
Italia – Helikopter tip ACH 47 me kapacitet transporti 37 trupa.
Sllovenia – 13 Gjeneratorë (GNR)
Austria – 8 Gjeneratorë (GNR)
Greqia – 2 ekipe zjarrfikësish me një personel prej 29 vetë, 4 makina, së bashku me pajisjet, 2 varka me motor, 7 pompa të fuqishme.
Itali – 12 Autobote, pompa, Varka, Tenda, Gjeneratorë, Ushqime, medikamente dhe veshje.
Franca – 12 pompa dhe 8 Gjeneratorë.
Moldavia ka dhuruar ndihma në ushqime dhe medikamente mjekësore.
Rama: Prokuroria të nisë hetimetAristir Lumezi Kryesocialisti Edi Rama i kërkoi dje prokurorisë së përgjithshme të nisë hetimet. Gjatë një konference për shtyp mbrëmë në selinë rozë, Rama akuzoi organin e akuzës se nuk po vepron për zbardhjen e katastrofës jo natyrore siç e tha ai. “Zonja Prokurore e Përgjithshme, ne ju kemi mbështetur e do t’ju mbështesim në kryerjen e detyrimeve tuaja kushtetuese, por sot duam të dimë se çfarë duhet të ndodhë ende në Shqipëri që prokuroria të shfaqet në vendngjarje e të nisë hetimin për dëme kolosale të pasurisë publike e private njerëzish me liri e të drejta kushtetuese?”, u shpreh Rama. Sipas tij, kryeministri Berisha do të përgjigjet për këtë ngjarje të rëndë për zonat e veriut. “Sali Berisha nuk shpëton dot nga e vërteta e frikshme e kësaj fatkeqësie jonatyrore të radhës edhe sikur Prokuroria e Përgjithshme të mos zgjohet nga gjumi i dimrit, ku e ka gjetur vjet shembja e qindra miliona eurove në Kalimash dhe ku e gjeti sivjet përmbytja e mijëra hektarëve tokë e shtëpi në Veri të Shqipërisë”, deklaroi Rama. Për Partinë Socialiste, katastrofa nuk ka ardhur nga zoti por nga keq menaxhimi i situatës nga qeveria. “Veriun nuk po e përmbyt Zoti po robi. Veriun po e përmbyt keqqeverisja dhe paaftësia e këtij pushteti, që po e shkatërron vendin nga katastrofa në katastrofë dhe vazhdon të sillet sikur po e çon nga fitorja në fitorje”, u shpreh Rama. Sipas tij, Veriun po e përmbyt rënia e shtetit dhe triumfi i babëzisë, paaftësisë, korrupsionit, nga digat lart në Fierzë, që janë kthyer prej kohësh në burim përfitimesh të paligjshme për pushtetarët, tek fushat poshtë nën Shkodër e më tutje, ku njerëzit janë lënë në dorën e Zotit dhe shteti është zhdukur nga faqja e dheut prej vitesh. Kryesocialisti i’u përgjigj dhe akuzave të maxhorancës, se opozita kërkon të bëjë politikë me tragjedinë e të tjerëve. “I them Sali Berishës mjaft me broçkulla e me yshtje gojësh të shthurura kundër opozitës. Mos krekoset si shpëtimtar dhe as mos akuzojë si i përdalë, se nuk e ka fajin as Zoti e as opozita, që pasi hodhi në erë mijëra shtëpi e familje në Gërdec ku humbën jetën 26 vetë, pasi varrosi edhe qindra miliona euro në tunelin e Kalimashit ku preu një shirit të rremë, i shpëtoi tani edhe uji i mbledhur për arsye që herët a vonë duhet t’ia tregojë drejtësisë dhe po i ndodh Veriut një përmbytje e jashtëzakonshme, e cila nuk mbahet mend sikur nuk ka ndodhur, megjithëse nuk ra asnjë shi për t’u mbajtur mend”, u shpreh Rama. Kryesocialisti ka risjellë në vëmendje kohën kur Maxhoranca e sotme ishte në opozitë. “Gojët e shthurura të Sali Berishës na akuzojnë paturpësisht se bëjmë politikë me fatkeqësinë. Jo, politikë me fatkeqësinë kanë bërë gjithnjë ata, kur ishin në opozitë dhe përdornin kufomat për të carë derën e kryeministrisë e vënë flakën në institucionet e shtetit, për të ndezur qirinj morti në parlament e lëshuar rrufe mllefi ndaj atyre që qeverisnin, për të parë pas çdo fatkeqësie një rast për dhunë, për destabilizim, për nxitje të urrejtjes ndaj nesh, e madje, më keq akoma, të dasisë Veri Jug”, u shpreh Rama.